Bota
TRUMP DERGON 5000 TRUPA SHTESE NE POLONI
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka njoftuar vendosjen e 5 mijë trupave shtesë amerikane në Poloni, në një lëvizje që po interpretohet si një ndryshim qëndrimi vetëm pak ditë pasi Pentagoni kishte pezulluar përkohësisht një dislokim të planifikuar drejt krahut lindor të NATO-s.
Polonia konsiderohet një nga aleatët më të rëndësishëm të Washingtonit në Evropën Lindore dhe aktualisht strehon rreth 10 mijë ushtarë amerikanë.
Përmes një deklarate publike, Trump e lidhi vendimin edhe me marrëdhënien e tij me presidentin polak Karol Nawrocki, duke theksuar se vendimi vjen pas zgjedhjes së tij në krye të shtetit polak.
Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Pentagoni kishte shtyrë rotacionin e rreth 4 mijë ushtarëve amerikanë drejt Polonisë, një vendim që shkaktoi shqetësim në Varshavë dhe reagime në Kongresin amerikan.
Zhvillimi ndodh në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Suedi, ku pritet të diskutohen marrëdhëniet transatlantike dhe roli i aleatëve evropianë në sigurinë kolektive.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio kritikoi disa vende anëtare për mungesë mbështetjeje ndaj operacioneve amerikane, duke përmendur veçanërisht Spanjën.
Nga ana e tij, presidenti polak Nawrocki e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si dëshmi të forcës së aleancës strategjike mes Varshavës dhe Washingtonit, ndërsa ministri polak i Mbrojtjes deklaroi se ky hap konfirmon marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve.