Connect with us

Politike

Rama hidhet në sulm: Më 26 maj vulosim fazën hyrëse me BE, opozita le të numërojë humbjet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ecurinë e procesit të integrimit evropian, duke deklaruar se Shqipëria është drejt një tjetër momenti të rëndësishëm në negociatat me Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u ndal te deklaratat dhe kritikat e bëra gjatë muajve të fundit për procesin e negociatave, duke thënë se parashikimet për bllokim apo ndëshkim të Shqipërisë nga Bashkimi Evropian nuk rezultuan të vërteta.
“Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Evropa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. U lëshuan rrugëve me molotovë për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se, sipas tij, pavarësisht kritikave dhe kundërshtimeve politike, Shqipëria ka vijuar përpara në rrugën e integrimit.
“Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi”, u shpreh ai.
Rama njoftoi se më 26 maj në Bruksel pritet të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE, të cilën e konsideroi si momentin që vulos përfundimin e fazës hyrëse dhe kalimin në fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.
Sipas tij, “Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit”.
Në mesazhin e tij, Rama e cilësoi procesin e integrimit si një “histori suksesi”, duke e lidhur atë me punën e institucioneve dhe me mbështetjen e qytetarëve.
Ai shprehu mirënjohje për administratën publike, shumicën parlamentare, qeverinë, institucionet e përfshira në negociata dhe qytetarët që, sipas tij, kanë mbështetur objektivin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
“Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe dhe për të gjithë ata që punojnë në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE”, shkroi Rama.
Në fund të mesazhit të tij, kryeministri falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe përsëriti thirrjen: “Forca Shqipëria”.
Zhvillimi vjen pasi Grupi i Punës për Zgjerimin në Këshillin e Bashkimit Evropian (COELA) dha të enjten dakordësinë në nivel teknik mbi dokumentin që lidhet me vlerësimin e progresit të Shqipërisë për përmbushjen e piketave të ndërmjetme në grup-kapitullin “Themeloret”.
Sipas burimeve evropiane, të 27 shtetet anëtare ranë dakord mbi draft-pozicionin e përbashkët të Bashkimit Evropian, i ndërtuar mbi raportin e vlerësimit të Komisionit Evropian, i njohur si Interim Benchmark Assessment Report (IBAR).
Pas dakordësisë në nivel teknik, çështja kalon në COREPER, organi ku ambasadorët e vendeve anëtare japin miratimin politik përfundimtar përpara se procesi të ecë në nivel ministrash.
Në praktikë, ky konsiderohet një hap kyç për vijimin e negociatave të Shqipërisë, pasi i hap rrugë mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare dhe avancimit drejt fazës së mbylljes së kapitujve negociues.
Por si funksionon në praktikë metodologjia e zgjerimit?
Sipas shpjegimeve të një zyrtari evropian në dijeni të procesit, vetë natyra e IBAR-it e bën atë një dokument jo detyrues juridikisht për shtetet anëtare.
“IBAR-i është një raport, pra një vlerësim i Komisionit Evropian. Ai nuk është ligjërisht detyrues për Këshillin, por shërben si bazë për miratimin e një pozicioni të përbashkët të Bashkimit Evropian”, shpjegon zyrtari
Me fjalë më të thjeshta, Komisioni Evropian paraqet vlerësimin teknik për progresin e Shqipërisë, por vendimmarrja politike mbetet në duart e shteteve anëtare, të cilat kanë të drejtë të diskutojnë përmbajtjen e raportit.
Megjithatë, sipas burimit evropian, praktikisht është politikisht e vështirë të imagjinohet një situatë ku Këshilli i Bashkimit Evropian të refuzojë ose ndryshojë rrënjësisht një raport të paraqitur nga Komisioni Evropian.
“Nëse Komisioni paraqet një raport të tillë, zakonisht kjo ndodh sepse ekziston paraprakisht një nivel dakordësie politike”, sqaron ai.
Në këtë kontekst, debat ka pasur edhe mbi mënyrën se si interpretohet metodologjia e re e zgjerimit dhe roli i piketave të ndërmjetme në kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi më parë se me metodologjinë e re të aplikuar për Shqipërinë, miratimi i piketave të ndërmjetme është bërë kusht “themelor” për vijimin e negociatave.
“Me metodologjinë e re e cila filloi të zbatohej për herë të parë me Shqipërinë, miratimi i piketave të ndërmjetme, pra një rishikim i ndërmjetëm për kapitujt 23 dhe 24 bëhet ‘Themelor’, sepse pa miratimin e tyre procesi nuk mund të vazhdonte. Kjo s’ka qenë për Malin e Zi dhe as për Serbinë, aplikohet për Shqipërinë”, deklaroi kryediplomati.
Megjithatë, një zyrtar i Komisionit Evropian sqaroi se i njëjti mekanizëm është aplikuar edhe për Malin e Zi dhe Serbinë dhe nuk përbën një element të ri procedural.

“I njëjti proces është aplikuar për Malin e Zi dhe Serbinë, nuk është i ri”, tha zyrtari. Sipas tij, ritmi i negociatave lidhet me progresin real në grup-kapitullin “Themeloret” dhe jo me kohën që u duhet institucioneve evropiane për të shqyrtuar progresin ose për të diskutuar hapat proceduralë.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare vijon të mbrojë qëndrimin se procesi po ecën sipas pritshmërive dhe se Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar të negociatave.

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, kryenegociatorja Majlinda Dhuka deklaroi se Shqipëria ka çelur negociatat për të gjithë kapitujt dhe ka marrë tashmë kushtet për mbylljen e 31 kapitujve negociues.

Tashmë vëmendja është zhvendosur te mbledhja e së premtes e COREPER-it, ku ambasadorët e 27 shteteve anëtare do të duhet të japin miratimin politik për pozicionin e përbashkët të Bashkimit Evropian mbi “Themeloret”.

Advertisement