Connect with us

Politike

Evi Kokalari kallëzon në SPAK familjen Berisha: PD është marrë peng për interesa personale

Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari që nuk u lejua të garonte përballë Sali Berishës për kreun e PD, ka shpërthyer me akuza të forta ndaj familjes Berisha, duke deklaruar se ka depozituar kallëzim penal në SPAK për atë që e quan “marrje peng të Partisë Demokratike”.
Në një reagim publik, Kokalari bën me dije se kallëzimi penal është dorëzuar kundër Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, Argita Malltezi, Albana Vokshi dhe personave të tjerë që, sipas saj, kanë përdorur Partinë Demokratike si “mburojë kundër SPAK-ut”.
Kokalari pretendon se gjithçka nisi pas Kuvendit të 30 Prillit 2022, ku sipas saj PD u vu totalisht në funksion të interesave personale të familjes Berisha.
Por goditja nuk ndalet vetëm në SPAK. Aktivistja deklaron se ka ndërmarrë edhe hapa ndërkombëtarë, duke denoncuar çështjen pranë zyrës së Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, si dhe tek zyrtarë të lartë të PPE-së.
“Sot në mëngjes kam bërë kallëzim penal në SPAK për marrjen peng të Partisë Demokratike nga familja Berisha dhe rrethi i tij, për arsye të qarta korrupsioni dhe për t’u përdorur si mburojë kundër vetë SPAK-ut.
Kallëzimi është kundër:
Sali Berishës
Shkëlzen Berishës
Argita Malltezit
Albana Vokshit
dhe disa të tjerë.
Kam shpjeguar në detaje se si u mor peng Partia Demokratike nga Kuvendi i 30 Prillit 2022 dhe si është përdorur për interesat personale të tyre.
Jam në dispozicion të plotë të SPAK-ut për këtë çështje, si dhe për çdo çështje tjetër ku prokurorët e shohin të arsyeshme që unë mund t’ju nevojitem.
Si e tillë, deri më sot kam marrë këto hapa:
1 – Kallëzim penal në SPAK
2 – Padi civile me kërkesë për masë sigurimi, tashmë e pranuar nga Gjykata (kërkohet pezullimi i Kuvendit të 23 Majit)
3 – Denoncim të detajuar pranë zyrës së Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë
4 – Email-update për zyrtarë të lartë të EPP-së
Për sa i përket Shqipërisë, me ndihmën e SPAK-ut dhe të Gjykatës, si dhe me mbështetjen nga jashtë të DASH-it dhe EPP-së, do ta izolojmë këtë kancer që ka pushtuar opozitën dhe, si pasojë, të gjithë politikën shqiptare.”, shkruan Kokalari.

Advertisement