Connect with us

Sport

I doli emri për të marrë drejtimin e Italisë, Guardiola thyen heshtjen dhe reagon për herë të parë

Largimi i Guardiolës nga “Citizens” konsiderohet fundi i një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit anglez. Menjëherë pas konfirmimit të vendimit, mediat italiane raportuan për një interes të mundshëm të Federatës Italiane të Futbollit ndaj trajnerit katalanas.

Sipas “LaPresse”, burime pranë Guardiolës kanë bërë të ditur se trajneri është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e drejtimit të Italisë në të ardhmen. Një emërim i tillë do të shënonte rikthimin e tij në futbollin italian, ku më herët ka luajtur me Romën dhe Breshan.

Megjithatë, situata në Federatën Italiane mbetet ende e paqartë. FIGC do të zgjedhë presidentin e ri më 22 qershor dhe vetëm pas këtij procesi pritet të nisë konkretisht puna për emërimin e trajnerit të ardhshëm të “Azzurrëve”.

Pas largimit të Xhenaro Gatuzo-s dhe disa anëtarëve të stafit teknik, drejtimi i përkohshëm i kombëtares italiane i është besuar trajnerit të ekipit U-21, Silvio Baldini. Ai do të udhëheqë skuadrën në ndeshjet miqësore ndaj Greqisë dhe Luksemburgut.

Pengesa financiare

Një nga vështirësitë kryesore për një marrëveshje të mundshme mes Guardiolës dhe Italisë mbetet aspekti ekonomik. Te Mançester Siti, trajneri spanjoll përfitonte rreth 28 milionë euro në sezon, pa llogaritur bonuset dhe kostot e stafit teknik.

Federata italiane nuk ka mundësi të ofrojë një kontratë të ngjashme financiare, çka do të thotë se çdo negociatë eventuale do të mbështetej kryesisht te projekti sportiv dhe ambicia për të rikthyer Italinë në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar.

Guardiola kërkon pushim

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së fundit të sezonit në Premier Ligë ndaj Aston Vilës, Guardiola la të kuptohet se pas largimit nga Siti dëshiron të qendrojë për një periudhë larg futbollit.

“Tani kam nevojë për pushim. Nuk do të jem trajner për një periudhë të caktuar. Kam 17 ose 18 vite në nivelin më të lartë, me presion çdo tre ditë për të fituar gjithçka. Duhet të ndalem pak, të marr frymë dhe të relaksohem”, deklaroi ai.

Megjithatë, deklarata e trajnerit nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi në stol në të ardhmen, ndërsa pista e kombëtares italiane mbetet një opsion i hapur.

Advertisement