Shkrime
ZBULOHET PLANI PER ELEMINIMIN E IVANKA TRUMP
Ivanka Trump, vajza e Presidentit amerikan Donald Trump, ishte objektivi kryesor i një plani të organizuar atentati nga një terrorist irakian i trajnuar nga Garda Revolucionare e Iranit (IRGC), sipas informacioneve të publikuara nga mediat amerikane. Autoritetet amerikane po hetojnë një çështje komplekse që lidhet me aktivitetin e 32-vjeçarit Mohammad Baker Saad Daoud Al-Saanti, i cili u arrestua në mesin e muajit maj në Turqi dhe u ekstradua me procedurë të përshpejtuar në Shtetet e Bashkuara. Shtetasi irakian dyshohet se kishte zhvilluar një lidhje obsesive me idenë e hakmarrjes për eliminimin e komandantit ushtarak iranian Qasem Soleimani, i cili u vra në një sulm ajror amerikan me dron në Bagdad në vitin 2020.
Sipas Edifand Kanbar, zëvendës atashe ushtarak i ambasadës irakiane në Uashington dhe aktualisht president i “Future Foundation”, Al-Saanti e konsideronte Soleimanin si figurë atërore. Kjo lidhej me faktin se babai i tij biologjik, gjenerali iranian Ahmad Kazemi, kishte humbur jetën në një aksident ajror në vitin 2006.
Al-Saanti u rrit në Bagdad me nënën e tij irakiane, por në moshë të re u dërgua në Teheran për të marrë trajnim të ashpër ushtarak dhe operacional drejtpërdrejt nga njësitë speciale të IRGC-së. Pas vrasjes së Soleimanit, ai nisi të deklaronte në rrethin e tij se Ivanka Trump duhej të eliminohej “që shtëpia e Trump të digjej në të njëjtën mënyrë siç ai dogji shtëpinë tonë”.
Gjatë arrestimit në Turqi, ndërsa ndodhej transit drejt Rusisë, u konstatua se ai mbante një pasaportë shërbimi irakiane. Departamenti Amerikan i Drejtësisë e akuzon Al-Saantin për një seri të rëndë veprash që përfshijnë 18 sulme dhe tentativa terroriste, shumë prej të cilave kishin në shënjestër objektiva hebraike dhe amerikane në vende të ndryshme të botës. Sipas autoriteteve federale amerikane, ai dyshohet se ka planifikuar, koordinuar ose marrë përgjegjësinë për:
Sulmin me bomba molotov ndaj ndërtesës së “Bank of New York Mellon” në Amsterdam në muajin mars.
Sulmin me armë zjarri ndaj konsullatës amerikane në Toronto të Kanadasë, po në mars.
Djegien e një sinagoge në Roterdam gjatë të njëjtit muaj.
Sulmin me thikë në Londër në prill, ku u plagosën dy persona me origjinë hebraike.
Sulmin me bombë ndaj një sinagoge në qytetin belg Liège.
Një seri operacionesh të tjera terroriste të parandaluara në territorin amerikan, të planifikuara si reagim ndaj zhvillimeve gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Pas ekstradimit, Al-Saanti u transferua nën masa të rrepta sigurie në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit (MDC) në Brooklyn, ku mbahet në izolim të plotë. Në të njëjtin institucion ndodhen edhe të burgosur të tjerë të profilit të lartë, përfshirë Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e CEO-s së UnitedHealthcare, si dhe ish-udhëheqësi venezuelian Nicolás Maduro. Ndërkohë, në zonat e Bagdadit të kontrolluara nga grupet pro-iraniane, janë shpërndarë fletushka nga i ashtuquajturi “Boshti i Rezistencës”, që u bëjnë thirrje qytetarëve të protestojnë kundër arrestimit të Al-Saantit. Deri tani, Shtëpia e Bardhë ka shmangur çdo koment zyrtar mbi çështjen. /Pamfleti/