Kronike
Pas Selmanajt, zbulohet celular edhe në qelinë e “Gaxhait” në burgun e Peqinit
Pas zbulimit të një telefoni celular në qelinë e Bledar Selmanajt, i akuzuar për vrasjen e Xhulio Bullarit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka intensifikuar kontrollet në burgun e Peqinit.
Gjatë kontrolleve të befasishme të ushtruara nga Forcat Operacionale, është zbuluar celular edhe në qelinë e Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si “Gaxhai”.
Bëhet me dije se gjatë verifikimeve janë gjetur në total katër aparate celularë, ndërsa po punohet për të identifikuar mënyrën se si pajisjet janë futur brenda ambienteve të burgut.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me aksionin dhe masat që pritet të merren pas zbulimit të pajisjeve të ndaluara.
Kontrollet në institucionet penitenciare janë shtuar ndjeshëm javët e fundit, në kuadër të masave për goditjen e sendeve të paligjshme që futen në qeli.
Gazmend Braka, i njohur me nofkën “Gaxhai”, është një emër i njohur i botës së krimit në Shqipëri, i lidhur kryesisht me ngjarjet e trazirave të vitit 1997 në Vlorë.
Ai konsiderohej si një nga figurat kryesore të grupeve të armatosura që vepronin në atë periudhë në qytetin bregdetar. Emri i tij u bë publik gjatë përplasjeve dhe konflikteve të asaj kohe, ndërsa më pas është përfshirë në procese të ndryshme hetimore dhe gjyqësore.
“Gaxhai” është arrestuar dhe dënuar ndër vite për vepra të ndryshme penale. Kohët e fundit ai është rikthyer në vëmendje edhe për shkak të kontrolleve dhe operacioneve të zhvilluara në burgun e Peqinit, ku po vuan dënimin.
E krijuar në mars të vitit 1997, banda e Gaxhait ishte rivale me bandën e Çoles, drejtuar nga Zani Çaushi. Përplasja midis tyre nisi më 9 maj të atij viti, kur u vra Bernard Duçka, i njohur si Kuqo, anëtar i bandës së Gaxhait.
Ky i fundit, në kundërpërgjigje, tentoi të merrte autoblindat e policisë për të luftuar me Zanin, po nuk ia arriti. Me përfundimin e trazirave dhe arrestimin e pjesëtarëve të dy bandave, lufta midis tyre mbaroi.
Por deri në përfundim, gjakrat e të rinjve ishin të ndezur dhe ata kërkonin me çdo kusht hakmarrjen. Qendrën, grupi i ngritur nga Gaxhai e kishte në Cerkovinë.