Aktualitet
“Duan dëmshpërblim”/ Fermerët thirrje shtetit për ndihmë
Fermerët e fshatrave të Devollit po përballen me një situatë të rëndë si pasojë e dëmeve nga ngricat në sektorin e frutikulturës.
Ulja e temperaturave në fillim të majit ka bërë që në shumicën e fshatrave të zonës, pemtoret me mollë, qershi dhe kumbulla të dëmtohen në masën 95-100%, duke kërcënuar seriozisht ekonominë e qindra familjeve që jetojnë vetëm me këtë aktivitet.
Ata tregojnë se fruti i sapoformuar i mollës, qershisë dhe kumbullës ka ngrirë plotësisht dhe tashmë ka filluar të rrëzohet në tokë. Përveç humbjes së plotë të fitimit për këtë vit, fermerët duhet të përballen edhe me shpenzimet që duhet të bëjnë për vitin tjetër, për shkak të specifikave të pemëtarisë
Janë dhjetëra fermerë të fshatrave të Devollit, të cilët, përveçse për këtë vit nuk do të kenë asnjë kokërr fryti për të vjelë nga puna e tyre, duhet të vazhdojnë përkujdesjen për pemëtarinë, pasi nëse nuk investohet në trajtimin e tyre, pemët rrezikojnë të preken nga sëmundjet, çka do të shkatërronte edhe prodhimin e vitit të ardhshëm.