Aktualitet
I vendosi tritolin kantierit të ndërtimit, autori u kap nga kamerat e sigurisë
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shpërthimi me lëndë plasëse që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kamëz.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40, në bulevardin “Nënë Tereza”, në pjesën e jashtme të rrethimit të një kantieri ndërtimi.
Burime bëjnë me dije se nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale të vogla, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, është shfaqur një person, i cili është afruar i vetëm pranë kantierit dhe pasi ka vendosur lëndën plasëse, është larguar me një motoçikletë.
Paraprakisht, hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të lidhet me ndonjë konflikt të mundshëm mes pronarëve të ndërtimit, megjithëse vetë ata kanë deklaruar se nuk kanë probleme apo konflikte me askënd.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.