Kosova
Dorëhiqet Ramush Haradinaj, Ardian Gjini merr zyrtarisht postin e kryetarit të AAK-së
Ardian Gjini është zgjedhur kryetar i ri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Kuvendin e AAK-së.
Gjini, i cili është edhe kandidat i AAK-së për kryeministër, u paraqit para delegatëve me mesazhin se partia po hyn në një fazë të re politike mbi bazën e ndërtuar ndër vite. Ai shtoi se AAK-ja nuk po e nis rrugëtimin nga fillimi dhe se kjo, sipas tij, i jep forcë partisë për sfidat politike që e presin.
“Unë besoj fort se gjithçka për të cilën po flasim sot është e arritshme. Nuk jemi duke u nisur prej tokës, por prej një ndërtese të jashtëzakonshme që e kemi ndërtuar së bashku me ju, kryetar. Po nisemi prej besimit që e kemi për Kosovën. Energjia, siguria dhe zhvillimi është slogani ynë, me një konotacion perëndimor. Por mos harroni, shtyllat që na bëjnë të ndihemi mirë pse e duam Amerikën dhe Evropën janë të rëndësishme për Kosovën dhe duhet të forcohen më shumë”, deklaroi Gjini.
Zgjedhja e Gjinit vjen pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga drejtimi i AAK-së në shkurt të këtij viti, duke i dhënë fund një periudhe më shumë se dydekadëshe në krye të partisë.
Në fjalimin e tij para delegatëve në Kuvendin e 10-të Zgjedhor, Haradinaj rikujtoi rrugëtimin e tij politik dhe ushtarak, duke theksuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e angazhimit politik në Kosovë, megjithëse jo më si kryetar i partisë. Ai konfirmoi se do të mbetet aktiv në jetën politike dhe i dha mbështetje të plotë Ardian Gjinit si pasardhës në krye të AAK-së.
“Prej vitit 2000, nga mosha ime 32 vjeç, kam shërbyer Kosovën dhe kombin si kryetar i Aleancës. Kam pasur nderin të zgjedhem deputet në çdo legjislaturë dhe të zgjedhem kryeministër dy herë. Sot kryetar Ardian, unë dhe Aleanca besojmë te ti. Besojmë që të jesh prijësi ynë, prijësi i Kosovës, prijësi i listës tonë më të mirë”, tha Haradinaj.