Kronike
Vëllai i biznesmenit të vrarë/ Kush është “koka” e grupit kriminal që trafikonte drogë
Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i 5 personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar në Dubai, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pasi akuzohen për trafik droge dhe mashtrim kompjuterik.
Mësohet se mes tyre është edhe Kristo Qirici, vëllai i biznesmenit Edmond Papa, i vrarë në zonën e Komunës së Parisit më 16 dhjetor 2022.
Qirici u shpall në kërkim nga SPAK në mars të vitit 2025, pas goditjes së grupit kriminal që dyshohet se drejtohej prej tij. Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi i 44-vjeçarit trafikonte sasi të mëdha droge drejt Greqisë. Po ashtu, si pjesë e këtij grupi rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës edhe 4 shefa komisariatesh policie.
“Gjatë viteve 2019-2021 evidentohet fakti se në Sarandë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i cili merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike, ndërsa krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i tij dyshohen se janë shtetasit nën hetim K.Q. (alias J.H., alias J.Q.) dhe E.A. (alias K.A.).
Nga hetimi del në pah fakti se gjatë viteve 2019-2021 pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë pasur detyra të caktuara me qëllim kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, duke e mbjellë në zona të caktuara dhe duke e kultivuar në ambiente të mbyllura”, njoftonte në atë kohë SPAK.
Gjithashtu, ndaj pasurive të Qiriçit, GJKKO ka vendosur masë sekuestroje, pasi dyshohet se burojnë nga veprimtari të jashtëligjshme.
Vrasja e Edmond Papës
Edmond Papa, vëllai i Qericit, u vra më 16 dhjetor 2022 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa po pinte kafe në një lokal. Autorët e qëlluan me rreth 9 plumba dhe u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ai ndërroi jetë rrugës për në spital.
Papa përshkruhej si biznesmen nga Saranda, pronar hoteli, por gjithashtu i njohur për autoritetet për precedentë penalë jashtë Shqipërisë.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, motivi kryesor dyshohet të ketë qenë hakmarrja. Hetuesit e lidhën ngjarjen me vrasjen me eksploziv të Aleksandër Sadikaj në qershor 2022. Dyshohej se mes Sadikajt dhe Papës kishte pasur konflikt për çështje të trafikut të drogës dhe se njerëzit e afërt të Sadikajt organizuan atentatin ndaj Papës.
Për vrasjen u akuzuan Andreë Bode si ekzekutor dhe Alban Velo si bashkëpunëtor. Sipas dosjes hetimore, ata e kishin vëzhguar Papën për disa ditë në Sarandë dhe Tiranë para atentatit.