Politike
Rama për “Corriere Della Sera”: Jemi vend me shumë fat, turistët nuk kërkojnë vetëm detin, por edhe përvoja…
Kryeministri Edi Rama duket se ia ka besuar ‘rilindjen’ e verës shqiptare enologut të famshëm italian, Riccardo Cotarella i cili si konsulent do të drejtojë projektin kombëtar për transformimin e vreshtarisë në vendin tonë. Cotarella mban postin e presidentit te Federatës Botërore të Verës.
Lajmi është publikuar në gazetën “Corriere Della Sera ku thuhet se synimi është që verërat shqiptare të futen fuqishëm në tregjet ndërkombëtare.
Vetë Cotarella ka deklaruar se Shqipëria ka territore me potencial të jashtëzakonshëm për prodhimin e verës, të afta të nxjerrin verëra me personalitet dhe autenticitet të lartë.
“Turizmi i verës është ndoshta pjesa më e natyrshme e projektit. Shqipëria është jashtëzakonisht me fat: turistët nuk kërkojnë vetëm detin, ata kërkojnë përvoja. Ata duan që të hanë, të pinë, të ecin dhe të takojnë njerëz të vërtetë. Kantinat e verës mund të bëhen porta hyrëse për në territoret: Berat, Përmet, Lezhë, Korçë, Shkodër, Elbasan, Luginën e Vjosës dhe rrethinat e Tiranës ose të Durrësit. Ne nuk duam vetëm të shesim shishe. Ne duam t’i japim jetë vendit ku lind ajo shishe” – deklaroi kryeministri Rama.
Ai shprehet se do e vendosë verën shqiptare në hartën e Evropës jo si një kuriozitet folklorik, por si një produkt serioz të një vendi mesdhetar me varietete rrushi vendase, peizazhe të jashtëzakonshme dhe një kulturë të re cilësie.
Projekti përfshin edhe ngritjen e një kantine të re eksperimentale brenda Universitetit të Tiranës, me laborator për analizat e tokës dhe verës, që synon të kthehet në një qendër reference për gjithë sektorin.
Në Shqipëri, për një kohë të gjatë, vera ishte edhe kjo: jo një artikull luksi, por një gjest shtëpie.
Dhe ndoshta ringjallja e verës shqiptare duhet të fillojë pikërisht nga aty: duke e shndërruar një gjest shtëpie në një kartëvizitë për botën.