Kosova
Osmani e Abdixhiku takojnë kongresistin amerikan, diskutojnë thellimin e partneritetit me SHBA-në
Kandidatja për presidente e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, të martën, kanë takuar kongresistin trepublikan Keith Self, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Sipas Osmanit gjatë takimit me Self është diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë me administratën Donald Trump dhe mundësitë e jashtëzakonshme për thellimin e këtij partneriteti.
“Në takimin tonë të përbashkët e falënderuam për qëndrimin e tij të qartë në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, anëtarësimit tonë në NATO dhe fuqizimit të paqes e stabilitetit në rajonin tonë”.
Delegacioni e kaloi pasditen në kampin ushtarak Bondsteel, ku u prit nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
Përveç Self, pjesë e delegacionit është edhe kongresisti demokrat Suhas Subramanyam, anëtar i nënkomitetit për Ushtri dhe Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.
Self dhe Subramanyam janë edhe sponsorizues të një rezolute që mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në këtë rezolutë theksohet se anëtarësimi i Kosovës në aleancë është i rëndësishëm për përballjen me ndikimin e kundërshtarëve të SHBA-së në Evropë.
Rezoluta u bën thirrje edhe shteteve si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, në mënyrë që t’i hapet rruga anëtarësimit të saj në NATO.