Politike
Berisha takim me Sekretaren e Përgjithshme të PPE-së: Shqiptarët e meritojnë integrimin në BE, por…
Pasi u rikonfirmua si kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka pritur ditën e sotme në një takim Sekretaren e Përgjithshme të PPE-së, Dolores Montserrat.
Gjatë takimit, kreu i PD-së u shpreh se ëndrra e përhershme e shqiptarëve ka qenë integrimi europian, dhe shtoi se shqiptarët e meritojnë plotësisht integrimin në BE, por sipas tij korrupsioni sistemik, kapja e institucioneve dhe narkoregjimi kanë mbetur pengesa serioze për përmbushjen e standardeve europiane.
“Pata kënaqësinë dhe nderin të pres në takim Sekretaren e Përgjithshme të Partisë Popullore Europiane (PPE) dhe eurodeputeten, Dolors Montserrat
Në këtë takim u shoqërova nga bashkëpunëtorët e mi: Fatmir Mediu, Kryetar i Partisë Republikane, Albana Vokshi, Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, si dhe Enri Çeno, Sekretar i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Zonja Montserrat më uroi gjithashtu suksese për rikonfirmimin tim si kryetar i Partisë Demokratike, si dhe për mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit Kombëtar që mbahet këtë të shtunë.
Diskutuam në një atmosferë shumë miqësore dhe konstruktive për zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat me të cilat përballet demokracia në vend, si dhe për rrugëtimin europian të shqiptarëve.
Theksova se ëndrra e përhershme e shqiptarëve ka qenë integrimi europian dhe aspirata për ta parë Shqipërinë si pjesë të denjë të familjes europiane. Shqiptarët e meritojnë plotësisht integrimin në Bashkimin Europian, por korrupsioni sistemik, kapja e institucioneve dhe narkoregjimi kanë mbetur pengesa serioze për përmbushjen e standardeve europiane.
Gjatë bisedës ndamë shqetësimin për largimin masiv të të rinjve shqiptarë, dobësimin e shtetit ligjor dhe nevojën urgjente për zgjedhje të lira e të ndershme, si themel i një demokracie funksionale.
Shpreha mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të çmuar që Dolors Montserrat dhe Partia Popullore Europiane i kanë dhënë Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve. Solidariteti dhe mbështetja e PPE kanë qenë jetike në betejën tonë për demokraci, pluralizëm dhe vlera europiane.
E falënderova gjithashtu zonjën Montserrat për miqësinë, bashkëpunimin dhe angazhimin e saj të palëkundur në mbështetje të shqiptarëve dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë”, shkruan Berisha.