Sport
Liga e Konferencës flet anglisht, Kristal Palas mposht Vajekanon e Ivan Balliut dhe fiton për herë të parë trofeun europian
Pas Ligës së Europës që u fitua nga Aston Vila, edhe Liga e Konferencës flet anglisht. Kristal Palas ka mposhtur Rajo Vajekanon e Ivan Balliut me rezultatin minimal 1-0 dhe ka fituar për herë të parë në histori një trofe europian dhe do të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Ligën e Europës.
Skuadra angleze e nisi më mirë takimin, duke ushtruar presion në minutat e para, por me kalimin e kohës Rajo Vajekano arriti të balancojë lojën dhe të krijojë rastet e para të rrezikshme.
Në minutën e 25-të, Alemao ishte pranë golit për spanjollët pas një krosimi të De Frutos, por goditja e tij fluturimthi përfundoi ngjitur me shtyllën. Rajo rrezikoi sërish në minutën e 39-të me Unai Lopez, por tentativa e tij shkoi jashtë portës së Kristal Palas.
Pak para fundit të pjesës së parë, londinezët iu afruan avantazhit me Miçëll, i cili u shërbye saktë nga Uarton, por goditja me kokë përfundoi jashtë. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.
Në fillimin e pjesës së dytë, Kristal Palas krijoi menjëherë një tjetër rast me Mateta, por mbrojtësi Lejeun ndërhyri në momentin vendimtar duke larguar topin.
Goli i finales erdhi në minutën e 51-të. Pas një goditjeje të Uarton, portieri Batala grushtoi topin, por Mateta përfitoi nga rikthimi dhe e dërgoi në rrjetë, duke kaluar në avantazh ekipin e drejtuar nga Oliver Glasner.