Connect with us

Shkrime

Njeriu i errët i Trump/ Gjenerali fantazmë që po merr kontrollin e Ushtrisë Amerikane

Dy vite përpara se të hynte në rrethin e ngushtë të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjenerali Christopher Laniv ishte komandant divizioni i njohur për zbatimin e rreptë të rregullave, ndalimin e telefonave celularë gjatë stërvitjes fizike dhe këmbënguljen që ushtarët të përdornin vetëm pajisje ushtarake standarde.

Laniv, i njohur për disiplinën e hekurt, nuk ishte i pëlqyer nga ushtarët e thjeshtë të Divizionit të 82-të Ajror dhe shumë prej tyre e fishkëllenin gjatë aktiviteteve të “All-American Week”, në vitin e fundit të komandës së tij, sipas anëtarëve aktualë dhe ish-anëtarëve të njësisë.

Megjithatë, theksi që ai vendosi te disiplina, si edhe një takim i rastësishëm më vonë me presidentin Trump, e çuan drejt majës së hierarkisë ushtarake, ndërsa pritet që këtë javë të marrë postin më të lartë përgjegjës për trajnimin dhe pajisjen e Ushtrisë Amerikane.  Zyrtarë amerikanë theksuan për “Wall Street Journal” se Trump mund të ndryshojë ende mendim.

“Ajo që bëri dhe që unë e vlerësova ishte se e riktheu Divizionin e 82-të, i cili kishte devijuar disi, te stërvitja tradicionale dhe vlerat tradicionale”, deklaroi gjenerallejtënanti në pension Keith Kellogg, ish-komandant i Divizionit të 82-të Ajror. Ai kishte propozuar Laniv për një post të lartë në Pentagon para mandatit të dytë të Trump dhe kishte këshilluar Hegseth.

Laniv, të cilin kolegët e përshkruajnë si ambicioz por edhe modest, mund të përballet me pyetje të vështira nga ligjvënësit që do të duhet të konfirmojnë emërimin e tij në postin më të lartë të Ushtrisë. Disa republikanë kanë shprehur privatisht dyshime nëse ai është njeriu i duhur për këtë detyrë, sipas personave të njohur me diskutimet e brendshme.

Ai ka më pak përvojë se shumica e paraardhësve të tij. Laniv mban gradën gjeneral me katër yje vetëm prej tre muajsh, që nga 6 shkurti, kur u konfirmua si zëvendësshef i Ushtrisë. Shumica e drejtuesve të mëparshëm kishin shërbyer të paktën 18 muaj në gradën me katër yje para se të merrnin postin më të lartë.

Në një deklaratë, Hegseth tha se Laniv ka “mbështetjen e tij të plotë”, duke i cilësuar kritikët si “njerëz të shkëputur nga realiteti, që kanë kaluar vite duke minuar ushtrinë tonë me politika woke dhe luftëra pa fund”.

Hija e 6 Janarit

Ndryshe nga shumë oficerë të lartë të Ushtrisë Amerikane, Laniv nuk studioi në Akademinë Ushtarake West Point. Ai mori gradën si oficer këmbësorie përmes programit ROTC në Universitetin e Arizonës në vitin 1990. Ai shërbeu në disa misione në Afganistan dhe Irak, si edhe në Pentagon, ku si kapiten ishte ndihmës i Keith Kellogg, atëherë gjeneral me dy yje. “Ishte shumë i aftë në punën që bënte, shumë punëtor dhe shumë inteligjent. Ishte i gatshëm, siç thuhet shpesh, ‘t’i thoshte të vërtetën pushtetit’”, tha Kellogg.

Megjithatë, ngjitja e tij në karrierë nuk kaloi pa polemika. Në vitin 2021, ai shërbente si gjeneral me një yll në shtabin e Ushtrisë kur një turmë mbështetësish të Trump sulmoi Kapitolin amerikan. Si drejtor për operacionet, gatishmërinë dhe mobilizimin, ai ishte lidhja mes Ushtrisë dhe Gardës Kombëtare, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve.

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes nuk konstatoi shkelje nga zyrtarët e departamentit apo të Ushtrisë. Raporti përfundonte se veprimet e Departamentit të Mbrojtjes në përgjigje të trazirave të 6 janarit ishin “të arsyeshme në kushtet që mbizotëronin atë ditë”.

Megjithatë, më pak se një muaj më vonë, një memorandum prej 36 faqesh nga një jurist i Gardës Kombëtare të Distriktit të Kolumbias pretendonte se zyrtarë të lartë, përfshirë Laniv, kishin fshehur një vonesë prej një ore në reagimin e Ushtrisë ndaj trazirave.

Memorandumi i kolonelit Earl Matthews, sot këshilltar i përgjithshëm i Pentagonit nën drejtimin e Hegseth, këmbëngulte se Laniv dhe gjenerallejtënanti Walter Piatt kishin gënjyer.

“Piatt dhe Laniv ndryshuan fjalë për fjalë faktet dhe kujtimet brenda natës. Produkti final, një broshurë revizioniste e denjë për propagandën më të mirë staliniste apo koreano-veriore, ishte shumë pranë”, shkroi Matthews.

Besnik i rregullave

Më vonë, si komandant i Divizionit të 82-të Ajror, Laniv krijoi reputacionin e një drejtuesi tepër rigoroz, me rregulla që shumë ushtarë i konsideronin të vjetruara. Këto përfshinin kufizime në pajisje dhe ndalimin e telefonave celularë gjatë stërvitjes fizike të mëngjesit.

Gjatë festimeve vjetore të njësisë në “All-American Week”, Laniv ndaloi edhe traditën shumëvjeçare ku veteranët hidhnin kanaçe birre drejt ushtarëve që vraponin në formacion. Ai urdhëroi gjithashtu njësitë e policisë ushtarake të patrullonin përgjatë itinerarit për të kontrolluar praninë e alkoolit. Sipas zyrtarëve të Ushtrisë, ai e konsideronte këtë praktikë çështje sigurie.

Laniv nuk e përfundoi mandatin dyvjeçar si komandant i Divizionit të 82-të Ajror. Ai u promovua më herët dhe u transferua në Korenë e Jugut për të komanduar Ushtrinë e 8-të në janar 2025.

Atje mori një detyrë që do t’i ndryshonte karrierën. Pentagoni po kërkonte një njësi jashtë vendit për të realizuar një videolidhje gjatë ceremonisë së inaugurimit të mandatit të dytë të Trump dhe zgjodhi njësinë e tij.

Pamja e Laniv, i rrethuar nga dhjetëra ushtarë, i bëri përshtypje presidentit amerikan.

“Mirë se u rikthyet, zoti President”, tha Laniv, duke lexuar një tekst të miratuar paraprakisht, sipas zyrtarëve të Ushtrisë Amerikane. “A është ky njeri sikur ka dalë nga kastingu apo jo?”, pyeti Trump audiencën në sallë.

Sipas Kellogg, Laniv ishte tashmë kandidat për të marrë postin e ndihmësit të lartë ushtarak të Hegseth. Ai tha se kishte rekomanduar që sekretari i ri i Mbrojtjes ta intervistonte Laniv para ceremonisë së betimit.

Gjatë intervistës, Hegseth mbeti i impresionuar nga karriera e Laniv dhe përputhja e pikëpamjeve të tij me planet e Pentagonit për ushtrinë, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve.

Performanca e fortë në intervistë dhe fakti që Trump kishte vlerësuar paraqitjen e tij në video i dhanë Laniv avantazh, thanë burimet.

Më pas, Laniv fitoi besimin e Hegseth falë etikës së punës, qasjes direkte ndaj problemeve dhe aftësisë për të ofruar një perspektivë ushtarake me përvojë, sipas zyrtarëve.

Që kur mori drejtimin e Pentagonit vitin e kaluar, Hegseth ka shkarkuar ose margjinalizuar të paktën tetë gjeneralë të lartë të Ushtrisë.

Laniv përfitoi ndjeshëm nga këto ndryshime, pasi largimi i disa prej tyre hapi rrugën për avancimin e tij.

Gjenerali Laniv është pikërisht lloji i liderit që i duhet Ushtrisë Amerikane në këtë moment. Ai është vendimtar, i përqendruar në forcimin e ushtrisë sonë dhe nuk interesohet për lojërat politike në Uashington. Është një gjeneral që rikthen ushtrinë te bazat, pa politikë, pa marrëzira, pikërisht ajo që pret presidenti Trump”, deklaroi Hegseth – Pamfleti

Advertisement