Connect with us

Sport

Mbrojtësi shqiptar drejt largimit nga Atalanta, Gasperini kërkon Gjimshitin te Roma

Berat Gjimshiti mund të nisë një aventurë të re në Serie A gjatë verës. Sipas mediave italiane, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është në listën e dëshirave të Xhan Piero Gasperinit te Roma, trajnerit me të cilin shkëlqeu te Atalanta dhe u kthye në një nga liderët e skuadrës bergamaske.

Karriera e Gjimshitit mori një kthesë të madhe nën drejtimin e Gasperinit, pasi shqiptari u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të Atalantës që arriti të fitonte edhe Ligën e Europës. Aftësia e tij për t’u përshtatur në çdo rol të prapavijës ka qenë një nga armët më të forta të trajnerit italian ndër vite.

Sipas “Il Sussidiario”, Gasperini dëshiron ta ketë sërish në dispozicion te Roma, skuadër që po përgatitet për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, ndryshimet në pankinën e Atalantës mund të favorizojnë largimin e shqiptarit nga Bergamo.

Afrimi i Mauricio Sarrit te Atalanta pritet të sjellë një tjetër filozofi loje dhe kërkesa të ndryshme për repartin defensiv, çka mund të hapë rrugën për mbylljen e aventurës shumëvjeçare të Gjimshitit me klubin zikaltër.

Një tjetër detaj që e bën të realizueshëm transferimin është situata kontraktuale e mbrojtësit shqiptar. Kontrata e tij përfundon në fund të qershorit dhe ai mund të transferohet me parametër zero, duke e bërë një objektiv shumë të favorshëm për Romën.

Advertisement