Connect with us

Politike

Mesazh i fortë nga SHBA për luftën ndaj krimit në Shqipëri, trajnohen zyrtarët për gjurmimin e parave të pista

Një mesazh i rëndësishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave në Shqipëri dhe rajon është përcjellë përmes një programi të posaçëm trajnimi për zyrtarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ambasada amerikane në Tiranë bëri të ditur se autoritetet ligjzbatuese të SHBA-së po bashkëpunojnë me institucionet homologe të tre vendeve për të rritur kapacitetet në hetimet financiare, një nga mjetet kryesore për identifikimin e aktiviteteve kriminale dhe goditjen e përfitimeve të paligjshme.

Programi drejtohet nga Zyra për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit (OPDAT) e Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe financohet nga Byroja Kundër Terrorizmit e Departamentit të Shtetit.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ekspertë të Hetimit Kriminal të IRS-së kanë trajnuar zyrtarët e rajonit mbi përdorimin e teknikave të avancuara të hetimit financiar, me qëllim zbulimin e aktiviteteve të paligjshme, sigurimin e provave për ndjekje penale dhe sekuestrimin e pasurive të krijuara nga krimi.

“Zyrtarët nga Hetimi Kriminal i IRS-së shpjeguan se si të përdoren mjetet e hetimit financiar për të zbuluar aktivitete të paligjshme, për të siguruar prova për ndjekje penale dhe për të sekuestruar fitimet e përfituara në mënyrë të paligjshme”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së.

Autoritetet amerikane e konsiderojnë hetimin financiar si një nga armët më efektive për të goditur rrjetet kriminale, duke synuar jo vetëm autorët e veprave penale, por edhe burimet financiare që mbështesin aktivitetin e tyre.

Advertisement