Aktualitet
Droni rus godet Rumaninë/ Goxhaj: Alarm për NATO-n, dy F-16 në ajër nuk e ndalën dot
Një incident i rëndë në qytetin Galați të Rumanisë, pranë kufirit me Ukrainën, ka rikthyer frikën për zgjerimin e luftës përtej territorit ukrainas.
I ftuar në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV.AL me moderator Red Varaku, analisti Dritan Goxhaj deklaroi se rënia e një droni rus në territorin rumun është një sinjal alarmi për sigurinë e NATO-s.
Sipas Goxhajt, sulmi rus kishte si objektiv zonën e Izmailit në Ukrainë, pranë kufirit me Rumaninë. Gjatë sulmit, radarët rumunë kapën lëvizjen e dronëve dhe autoritetet ngritën në ajër dy avionë luftarakë F-16 për të monitoruar situatën.
Por pavarësisht kësaj gatishmërie, një dron arriti të hynte në hapësirën ajrore rumune dhe ra mbi një pallat banimi në Galați, duke shkaktuar dëme dhe plagosje të civilëve.
Goxhaj tha se ky episod tregon dobësinë e mbrojtjes ajrore përballë luftës moderne me dronë.
“Kur një dron i vetëm arrin të kalojë, edhe pse në ajër janë ngritur avionë luftarakë, imagjinoni çfarë mund të ndodhë nëse përballë ke 30 apo 40 dronë njëherësh”, u shpreh ai.
Sipas tij, incidenti nuk përbën automatikisht arsye për aktivizimin e nenit 5 të NATO-s, pasi nuk provohet si goditje e qëllimshme ndaj Rumanisë. Megjithatë, Goxhaj theksoi se ngjarja ekspozon një problem të madh: NATO po përballet me një kërcënim të ri, ku dronët e lirë dhe të shumtë mund të sfidojnë edhe sistemet moderne të mbrojtjes.
Rënia e dronit në Galați e vendos Rumaninë në qendër të tensioneve të luftës Rusi-Ukrainë dhe ngre një pyetje të fortë: sa e përgatitur është realisht NATO për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj?