Sport
Makina në flakë dhe qindra arrestime/ Kaos në Paris pas triumfit të PSG-së
Festimet për triumfin e Paris Saint-Germain në finalen e UEFA Champions League kundër Arsenalit janë shndërruar në kaos në rrugët e Francës, me përplasje të shumta mes tifozëve dhe policisë që kanë çuar në mbi 400 arrestime.
Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, deri në orët e para të mëngjesit të së dielës janë arrestuar 416 persona, prej të cilëve 280 vetëm në Paris. Autoritetet kishin angazhuar mijëra efektivë policie për të parandaluar trazirat, por situata në disa zona të kryeqytetit doli jashtë kontrollit.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë makina dhe biçikleta elektrike të përfshira nga flakët, rrugë të dëmtuara, fishekzjarre dhe flakadanë të ndezur, si dhe vandalizëm ndaj bizneseve. Në bulevardin e famshëm Champs-Élysées mijëra tifozë festuan fitoren e PSG-së, ndërsa policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.
Autoritetet raportuan se gjatë trazirave u dëmtuan gjashtë automjete, dy biznese dhe një stacion autobusi. Gjithashtu, shtatë policë mbetën të plagosur.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, i cilësoi incidentet si “absolutisht të papranueshme”, ndërsa tensionet kanë rikthyer në vëmendje problemin e dhunës që shpesh shoqëron festimet futbollistike në Francë.
Ndërkohë, liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, reagoi ashpër në rrjetet sociale duke deklaruar se “vetëm në Francë fitorja e një klubi futbolli shndërrohet në trazira”.
Pavarësisht incidenteve, PSG pritet të zhvillojë paradën e fitores gjatë së dielës në Paris, me lojtarët që do të përshkojnë zonën pranë Kullës Eiffel dhe më pas do të priten nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Kujtojmë se edhe triumfi evropian i PSG-së një vit më parë u shoqërua me ngjarje tragjike, ku humbën jetën dy persona, përfshirë një 17-vjeçar.