Connect with us

Rajon

Arratisje spektakolare e shqiptarit nga burgu grek, i shpëtoi ‘sy për sy’ rojeve

Autoritetet greke njoftuan se pasi i burgosuri shqiptar Edmond Tafa, 48 vjeç, u arratis në mënyrë spektakolare nga burgu famëkeq i Koridhalosit, arrestuan menjëherë 2 nga oficerët e shërbimit.

Arratisja ndodhi gjatë shërbimit të ushqimit, pasi 48-vjeçari punonte në Depon Qendrore të Furnizimeve të Burgut dhe merrej me transportimin e bukës. Ai ishte një i dënuar për drogë.

Sipas Policisë Helenike, i burgosuri po vuante dënimin me burg për raste të lidhura me drogën. Në të kaluarën, ai ishte konsideruar i përshtatshëm për leje të rregullt nga këshilli kompetent dhe në këtë kontekst, kishte marrë tre leje në gjashtë muajt e fundit.

Siç u tha, në të gjitha rastet ai i kishte përmbushur plotësisht kushtet e vendosura, duke u kthyer në kohë në burgun ku mbahej për të vazhduar vuajtjen e dënimit. 48-vjeçari ishte transferuar në Korydallos nga burgu i Korfuzit, ku ishte mbajtur më parë.

Dy oficerë burgu u arrestuan nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve të Pireut në lidhje me rastin dhe akuzohen për lirimin e një të burgosuri.

Në të njëjtën kohë, procesi i planifikuar disiplinor është duke u zhvilluar, ndërsa hetimet për të gjetur të arratisurin vazhdojnë.

Advertisement