Connect with us

Aktualitet

Arian Galdini: Vjedhje strategjike, protesta strategjike, gjobvënie strategjike

Në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV, i ftuari Arian Galdini hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar mënyrën e saj të qeverisjes si një mekanizëm të organizuar të “vjedhjes strategjike”.
Sipas Galdinit, që nga viti 2013 çdo vendim i rëndësishëm i ekzekutivit, nga VKM-të dhe tenderët publikë deri te koncesionet, investimet strategjike dhe projektet e ndërtimit, ka funksionuar si pikënisje e një procesi që ai e quajti “vjedhje strategjike”.
“Çdo vendim qeverie, çdo VKM, çdo proces tenderimi, prokurimi publik, koncesion apo investim strategjik është fillim i një vjedhjeje strategjike. Kjo është logjika, mendësia dhe kultura e qeverisë Rama”, deklaroi ai.
Duke komentuar përplasjet e fundit në zonën e Zvernecit, Galdini tha se debati publik po devijohet qëllimisht nga thelbi i problemit. Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë ndarja “pro” dhe “kundër” protestës, por transparenca mbi interesat dhe të drejtat e banorëve që kundërshtojnë projektin.

Ai kritikoi ashpër mënyrën sesi u trajtuan protestuesit, duke përmendur pamje që, sipas tij, treguan qytetarë të tërhequr zvarrë pranë një territori të rrethuar nga investitori strategjik, ndërsa akuzoi institucionet shtetërore për përpjekje për të minimizuar ose fshehur ngjarjen.
“Pyetja e parë që duhet të shtrohet në një demokraci të vërtetë është: kush po proteston aty dhe a kanë këta banorë pretendime legjitime pronësie? Publiku duhet të dijë të vërtetën”, u shpreh Galdini.

Sipas tij, në vend që të fokusohet tek këto pyetje themelore, debati publik po zhvendoset drejt përplasjes politike, duke lënë në hije çështjen e transparencës, të drejtave të qytetarëve dhe interesit publik.

Advertisement