Connect with us

Aktualitet

La derën e bankës pa mbyllur dhe iku në tualet, zbardhet rrëfimi i rrojes së arrestuar

Nga Elton Qyno

“…Isha në banjë, kur ndodhi grabitja e arkës së bankës. Derën e bankës nuk e mbylla nga brenda, pasi kam harruar instiktivisht…”.

Kjo është dëshmia që ka dhënë punonjësi i sigurisë, Fehmi Çullhaj, i cili u arrestua nga policia e Tiranës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Sipas hetimeve të kryera Çullhaj është arrestuar pasi ka lënë derën e bankës hapur dhe është larguar në tualetin e brendshëm.

Pikërisht në këtë interval kohe, personi ende i paidentifikuar ka hyrë lehtësisht në bankë me një kokore në kokë dhe një armë që dyshohet si lodër dhe është drejtuar drejt sportelit të arkës.

Këtu ka aritur të marrë një sasi eurosh ende të papërcaktuar nga policia, (por besohet diku tek 10 mijë euro) dhe është larguar sërisht nga dera ku kishte hyrë.

Në të gjithë këtë interval kohor, punonjësi i sgurisë së bankës ka qëndruar në tualet, duke mos kryer detyrën e mbylljes së derës së jashtme nga brenda bankës.

Sipas policisë së Tiranës, gjithçka ka ndodhur për shkak të veprimeve arbitrare të Fehmi Çullhaj, i cili nuk ka zbatuar protokollin e sigurisë, për mbylljen e derës nga brenda.
Kjo ka sjellë lehtësim të veprimeve për të hyrë brenda dhe larguar më pas, të autorit të grabitjes./syri.tv

Advertisement