Kosova
Jeffrey Hovenier: Reputacioni i Kosovës në SHBA ka pësuar goditje serioze
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se reputacioni i Kosovës në Washington është dëmtuar seriozisht gjatë 16 muajve të fundit, si pasojë e jostabilitetit politik, zgjedhjeve të përsëritura dhe bllokadës institucionale.
Në një intervistë për Kosova Online, Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara presin që qeveria e ardhshme e Kosovës të jetë partnere e besueshme, të ndërtojë institucione stabile dhe të luajë rol në uljen e tensioneve, si brenda vendit ashtu edhe në rajon.
“Duhet një qeveri në Prishtinë që do të jetë partner i besueshëm, një qeveri që do të adresojë çështje prioritare si forcimi i institucioneve demokratike, lufta kundër korrupsionit, zbatimi i reformave qeverisëse që janë vonuar për shumë kohë dhe marrja e rolit në uljen e tensioneve brenda Kosovës dhe në rajon”, deklaroi Hovenier.
Ai tha se Washingtoni do ta përcjellë me shumë vëmendje nëse qeveria e re do të arrijë të zgjedhë presidentin, të formojë një koalicion stabil dhe të kryejë funksionet bazike të qeverisjes, me të cilat Kosova, sipas tij, është përballur gjatë disa cikleve zgjedhore në 16 muajt e fundit.
Hovenier theksoi se SHBA-ja nuk mbështet parti apo kandidatë të caktuar në zgjedhjet e brendshme të Kosovës, por dërgon sinjale të qarta politike për pritjet që ka nga çdo qeveri e ardhshme.