Kosova
Zgjedhje për zgjidhje, por zgjidhje s’ka, zgjedhjet e treta sjellin krizën e katërt
Kosova të dielën, më 7 qershor, mbajti zgjedhjet e treta me radhë brenda një periudhe prej një viti e gjysmë.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, bazuar në 99.40 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje është renditur e para me 42.92 për qind të votave.
Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 21.06 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.61 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.17 për qind.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e 7 qershorit ka qenë dukshëm më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas të dhënave preliminare, në këto zgjedhje kanë votuar rreth 176 mijë qytetarë më pak.
Krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka regjistruar rënien më të madhe të numrit të votave. Pa përfshirë votat e diasporës në të dy proceset zgjedhore, kjo parti ka marrë rreth 136 mijë vota më pak.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar rënie, duke humbur rreth 38 mijë vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rreth 46 vota.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja nga partitë kryesore që ka shënuar rritje, duke fituar rreth 2 mijë vota më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit.
Bazuar në projeksionet aktuale të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, LVV-së aktualisht i takojnë rreth 48 deputetë.
PDK-së 24 deputetë, LDK-së 20 deputetë dhe AAK-së 8 deputetë.
Ndarja e këtyre ulëseve është llogaritura pa rreth 100 mijë votave nga jashtë vendit të cilat ende nuk janë procesuar.
Bazuar në trendët e zgjedhjeve të vitit të kaluar, ato mund të ndikojnë në shpërndarjen e rrethe pesë mandateve ndërmjet partive politike.
Bazuar në këto projeksione duket se këto zgjedhje do të prodhojnë edhe një krizë të radhës dhe rrjedhimisht ta dërgojnë vendin sërish në zgjedhje.
Meqë sipas numrit të deputetëve të fituara, LVV-ja ndoshta mund të formojë qeverinë me një shumicë të brishtë, por e ka të pamundur ta zgjedhë presidentin e ri të vendit pa një bashkëpunim me partitë politike kryesore në vend. Meqë për zgjedhjen e presidentit duhen mbi 80 vota.