Kronike
Arratisje si në film në Australi/ Shqiptari i burgosur arratiset gjatë ceremonisë mortore të vëllait
Ajo që duhej të ishte ceremonia e fundit e lamtumirës për një familje, përfundoi në një nga arratisjet më të bujshme nga sistemi penitenciar i shtetit australian të Viktorias në vitet e fundit.
Orijol Rukaj, 47 vjeç, i akuzuar për trafik droge, arriti të zhdukej mes qindra pjesëmarrësve gjatë funeralit të vëllait të tij, Sokol Rukaj, në varrezat e Keilor East. Edhe pas 48 ditësh kërkime intensive, autoritetet australiane nuk kanë arritur ende ta lokalizojnë.
Sipas mediave australiane, Rukaj kishte marrë leje të posaçme për të marrë pjesë në ceremoninë mortore, i shoqëruar nga gardianë të Qendrës Korrektuese Marngoneet. I prangosur dhe nën mbikëqyrje të rreptë, ai ishte ndër personat që mbanin arkivolin e të ndjerit.
Por në çastet kur rreth 300 të pranishëm iu afruan arkivolit për homazhet e fundit, 47-vjeçari përfitoi nga rrëmuja e krijuar, u shkëput nga turma dhe u zhduk brenda pak sekondash. Rojet e kuptuan arratisjen vetëm kur ishte tepër vonë.
Hetimet paraprake sugjerojnë se Rukaj u largua me një Toyota Land Cruiser të zezë, e cila ishte parë në afërsi të varrezave pak para arratisjes. Më pas, dyshohet se ai arriti të çlirohej edhe nga prangat, qoftë me ndihmën e mjeteve prerëse, qoftë duke manipuluar mekanizmin e tyre.
Pavarësisht operacioneve të shumta të kërkimit, policia australiane beson se i arratisuri mund të vazhdojë të fshihet në zonën e Melburnit. Gjatë javëve të fundit janë kontrolluar të paktën 20 prona dhe janë marrë në pyetje familjarë, miq dhe persona të dyshuar se mund ta kenë ndihmuar, të cilët janë paralajmëruar për pasoja penale nëse rezulton se kanë favorizuar arratisjen.
Sipas autoriteteve, hetimi është ndërlikuar nga dyshimet për lidhjet e Rukajt me rrjete të krimit të organizuar shqiptar dhe nga mundësia që ai të ketë akses në burime të konsiderueshme financiare. Ai përballej me akuza të rënda për posedim dhe trafikim të sasive tregtare të kokainës, vepra për të cilat rrezikonte një dënim të gjatë me burg.
Policia dyshon se arratisja nuk ishte spontane, por një operacion i organizuar me kujdes dhe i koordinuar nga disa persona, disa prej të cilëve mund të ndodhen jashtë Australisë. Në qendër të hetimeve janë edhe biseda telefonike në gjuhën shqipe të zhvilluara para arratisjes, të cilat po analizohen dhe përkthehen nga autoritetet për të zbuluar rolet e mundshme të bashkëpunëtorëve dhe detaje të tjera mbi planin e arratisjes.