Kronike
Zërneci trondit politikën/ Llangozi: Goditja e SPAK, regji për të sfumuar protestat?
Çështja e Vërnecit dhe aksioni i fundit i SPAK ndaj pasurive të dyshuara si të lidhura me grupe kriminale ka ndezur një debat të fortë në studion e emisionit, ku moderatori Andi Bora dhe avokati Arben Llangozi analizuan prapaskenat e një prej dosjeve më të ndjeshme të momentit.
Vila, apartamente, resorte dhe zona të rëndësishme ekonomike në Shqipëri, sipas diskutimit në studio, rezultojnë të jenë në qendër të hetimeve dhe verifikimeve të organeve të drejtësisë. Por për avokatin Llangozi, koha kur SPAK ka vendosur të godasë është po aq e rëndësishme sa vetë përmbajtja e dosjes.
Sipas tij, aksioni vjen në një moment kur protestat në Tiranë nuk janë shuar, por përkundrazi janë intensifikuar. Për këtë arsye, Llangozi ngriti dyshimin se goditja mund të jetë përdorur si një manovër për të zhvendosur vëmendjen publike nga zemërimi qytetar.
“Unë mendoj që SPAK-u ka goditur në një moment kur protestat në Tiranë janë ndezur edhe më shumë. Duhet parë nëse kemi të bëjmë me një goditje reale ndaj krimit, apo me një regji të radhës për të sfumuar protestën”, u shpreh avokati gjatë analizës.
Në qendër të debatit ishte edhe fakti se disa prej pasurive apo përqindjeve të përmendura në këtë çështje, sipas Llangozit, kanë qenë të depozituara prej vitesh në Shqipëri. Pikërisht kjo e bën edhe më të fortë pyetjen: pse goditja ndodh tani?
Avokati theksoi se një prej personave të goditur dyshohet se ka lidhje pronësore me projektin e Vërnecit, çka sipas tij e bën çështjen edhe më të ndjeshme politikisht dhe ekonomikisht.
Por deklarata më e fortë e Llangozit lidhej me raportin mes ndërtimit, krimit të organizuar dhe pushtetit. Ai iu referua të dhënave të bëra publike nga Prokuroria e Posaçme, duke ngritur pretendimin se një pjesë e madhe e tregut të ndërtimit në vend ka qenë nën ndikimin e grupeve kriminale.
“Nëse rezulton se mbi 60% e tregut të ndërtimit është prekur nga grupe kriminale, atëherë pyetja është shumë e thjeshtë: kush i ka dhënë lejet e ndërtimit? Këtu hetimi nuk duhet të ndalet vetëm te sekuestrimi i pasurive”, argumentoi Llangozi.
Sipas tij, hetimi duhet të shkojë më lart dhe të zbardhë jo vetëm pronarët formalë apo personat e përfshirë në transaksione, por edhe mekanizmin institucional që ka lejuar këto investime të shtrihen në zona strategjike të vendit.
Në këtë pikë, moderatori Andi Bora ngriti një tjetër pyetje thelbësore: a mund të kthehet kjo goditje e SPAK jo në shuarje të protestave, por në një arsye më shumë që qytetarët të dalin në rrugë?
Llangozi u përgjigj se kjo varet nga mënyra si do ta lexojnë aktorët politikë dhe publiku këtë aksion. Sipas tij, kryeministri Edi Rama mund ta përdorë hetimin për të thënë se “drejtësia po funksionon”, por nga ana tjetër, vetë fakti që krimi i organizuar dyshohet se ka depërtuar kaq thellë në sektorë kyç të ekonomisë përbën një alarm kombëtar.
Avokati shkoi edhe më tej, duke e cilësuar kapjen e ekonomisë nga grupet kriminale si një kërcënim serioz për shtetin.
“Kjo nuk është thjesht çështje pasurish. Nëse krimi i organizuar ka marrë një pjesë kaq të madhe të ndërtimit, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më të rëndë: kapje të shtetit dhe lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin”, deklaroi ai.
Çështja e Vërnecit, e cila deri më tani është trajtuar kryesisht si një betejë pronësie dhe hetimi pasuror, duket se po merr përmasa shumë më të gjera. Nga njëra anë është SPAK, që godet me sekuestrime dhe akuza ndaj grupeve të dyshuara kriminale. Nga ana tjetër janë zërat kritikë që kërkojnë të dinë pse këto lidhje nuk janë zbuluar më herët dhe kush i ka hapur dyert e institucioneve për këto investime.