Connect with us

Politike

Bllokimi i autostradës/ Rama i ashpër: Protesta po degradon…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me zhvillimet e djeshme në protestë, kur u bllokua për disa orë autostrada Tiranë-Durrës dhe rruga e Rinasit.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri shprehet se tubimet kanë humbur lidhjen me kauzën fillestare dhe po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë, sezonin turistik dhe klimën e investimeve në vend.

Rama kritikoi ashpër organizatorët e protestës, duke i cilësuar zhvillimet e fundit si të ndikuara nga “forca destruktive” dhe “ekstremizëm”, ndërsa theksoi se qeveria ka vepruar në përputhje me interesin publik dhe standardet ndërkombëtare.

“Protestuesit janë të lirë të protestojnë paqësisht për çfarë të duan, si të duan e deri kur të duan, por pa dashur t’ju bëj moral nuk kam se si mos t’u them:

  1. Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik e të standarteve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
  2. Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurtë për turistët. Anullimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit.
  3. Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqia drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës.
  4. Keqardhje për të rejat e të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi qorrazi drejt Rinasit me shijen e lirisë e të pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan edhe vetë se çfarë budallallëku kishin bërë duke i shkuar mbrapa skuthave të infiltruar nga forcat destruktive, brenda a jashtë, të cilat po bëjnë çmos për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen një orë e më parë nga mendjet e liga dhe duart e këqia që tanimë e kanë marrë në kontroll protestën.
  5. Kjo protestë ka ekzaltuar edhe shumë personazhe me një emër të dëgjuar në mexhelisin e jetës publike. Me mendjet e tyre të cekëta ata i janë bashkuar asaj me mënyra të ndryshme, në bulevard apo në kanalet sociale e mediatike, me idenë se deti u bë kos, qeveria po mbytet, një orë e re erdhi për lugët në brezat e tyre.

Por nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy:

Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese dhe Partia Socialiste, e cila kur të shpërndahet mjegulla do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Advertisement