Aktualitet
Protesta, reagon Kristi Pinderi: Revolucioni ka sjellë shpresë për një Shqipëri të re
Aktivisti Kristi Pinderi, gjatë një prononcimi tregoi arsyet përse mbështet protestën e qytetarëve.
Ai tha se dy elementët thelbësorë që mund ta bëjnë këtë lëvizje të ketë sukses, është bashkimi i njerëzve dhe shpresa.
“Si të gjithë shqiptarët, përballë një rreziku të përbashkët na bashkojnë më shumë gjëra se na ndajnë, kam dashur të kuptoj çfarë po ndodh dhe çfarë është ndryshe këtë herë? Më pëlqen ta orientoj veten edhe në një botëkuptim teorik të majtë, jam krenar që jam i majtë dhe jam entuziast që në Shqipëri po ndërtohet një forcë social demokrate. Ndryshimi kërkon dy kushte themelore, një kusht i madh është që njerëzit të bëhen bashkë për të denoncuar padrejtësisë. Ky është moment i ngarkuar emocional. Të jesh i aftë të artikulosh padrejtësinë nuk mjafton kur nuk ka shpresë. Shpresa këtë herë nuk mungon.
Ajo që është e re, ky ekosistem shprese ka gjetur forma dhe katalizatorë për tu bërë bashkë. Shpresa të jep mundësinë të përfytyrosh të ardhmen. Është një lloj shprese që ndodh kur punët kanë ardhur kaq keq sa njerëzve u duhet shpresa për të rezistuar deri në fund. Te forma e këtyre shpresave mund të pikasim Shqipërinë e re.
E mbështes protestën pasi shoh mendësinë e Shqipërisë së re, që artikulon se kjo pasuri na takon të gjithëve. Duhet të gjejmë forca për të krijuar akses të barabartë, dhe jo për ta shitur te një formë e oligarkisë.
Shoh aty artikulimet e para të një pakënaqësie ndaj 30 e kusur viteve, që kanë të bëjnë me politikat neo-liberale që janë ndjekur nga PD dhe PS, që me privatizimet, terapitë e shokut, teori dhe koncepte që na duhen investimet e huaja për të ndërtuar turizëm elitar…
Përfytyroj se ç’mund të ndodhë me një politikan në Kanada, po të thoshte na duhet turizëm elitar? Nuk do të qëndronte në jetën publike as dy orë.
Në këtë këndvështrim, shoh me entuziasëm që Shqipëria i bashkohet një ushtime më të fortë ndërkomëbtare, që kërkon ti thotë ndal padrejtësisë ku 1% kontrollon të gjithë resurset”, tha ndër të tjera Pinderi.