Politike
“Mërgata e qyqeve”/ Aktivisti sfidon Ramën: Hajde na tako nëse je aq trim
Deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti “mërgatë të qyqeve” diasporën shqiptare që po mbështet dhe po i bashkohet protestës masive në Tiranë, kanë sjellë një reagim mjaft të ashpër nga jashtë kufijve. Aktivisti i njohur nga diaspora, Florian Haçkaj, përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë dhe me tone mjaft të forta në rrjetet sociale, ka gozhduar kryeministrin dhe kastën e tij qeverisëse.
Haçkaj bëri një paralelizëm mes festimeve të 35-vjetorit të PS-së dhe trashëgimisë komuniste, duke akuzuar kreun e qeverisë se po përdor të njëjtën gjuhë përçarëse që ka ndarë shqiptarët historikisht.
Aktivisti nuk ka kursyer akuzat e rënda për korrupsion galopant, duke përmendur me emra zyrtarët e lartë dhe situatën me drejtësinë që po trondit mazhorancën.
“Si na quajte mërgata e qyqeve? Festove 35 vjetorin e PS, vazhdimi i partisë komuniste që ndau shqiptarët për së gjalli dhe atë po bëni dhe ju këto vite. Por qyqe jeni ju dhe kasta juaj e kalbur me korrupsion. Tre çereku i drejtuesve të lartë janë në burg. Ke ish-zv.kyreministren Belinda Balluku që ka lakun në fyt dhe po e mbani ju me imponimet tuaja. Je edhe vetë gati para drejtësisë për vjedhjet galopante që ke bërë. Këtë popull nuk e gënjen dot”, u shpreh ai.
Më tej, Haçkaj hodhi dritë mbi udhëtimet e fundit të kryeministrit jashtë vendit, duke e sfiduar atë që të bëjë publike axhendat zyrtare dhe të përballet me emigrantët sy më sy, e jo vetëm përpara administratës dhe patronazhistëve.
“Ta bësh axhendën tënde publike dhe denjon të thuash që ishte udhëtim privat, dhe vjen ambasadori si zar të të mbajë valixhet! Bëje axhendën publike dhe do e kishe parë mërgatën e qyqeve në Basel dhe kudo. Nëse je kaq trim sa je kur flet para kamerave dhe patronazhistëve, hajde në shesh, hajde na tako neve në diasporë dhe shiko sa të duam!” shprehet aktivisti.
Në mbyllje të reagimit të tij, Haçkaj sqaroi edhe pozicionin e protestuesve dhe të diasporës në raport me ndërkombëtarët, duke theksuar se revolta e qytetarëve nuk është kundër Bashkimit Europian, por kundër modelit të qeverisjes aktuale.
“Shqiptarët nuk e kanë me BE-në. BE nuk je ti! BE nuk do korrupsion dhe ti je mullar në korrupsion”, përfundoi mesazhin e tij të prerë Florian Haçkaj.