Kronike
Vrau fqinjin pas një konflikti të çastit, arrestohet 25-vjeçari (EMRI)
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës qytetin e Rrogozhinës, ku një konflikt banal mes dy fqinjëve ka përfunduar në një tragjedi. Si pasojë e një përleshjeje me mjete të mprehta, 60-vjeçari Rrapush Memolla ka humbur jetën, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është vënë në pranga nga uniformat blu.
Mësohet se, shërbimet e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje pas marrjes së njoftimit, duke bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e menjëhershme të 25-vjeçarit.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:50, në lagjen “Mollaj”. Meklan Meçe, 25 vjeç, dyshohet se pas një konflikti, ka qëlluar me thikë fqinjin e tij, Rrapush Memolla. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, 60-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë.
Ndërkohë, autori i dyshuar, 25-vjeçari Meçe, ka pësuar dëmtime të lehta në dorë gjatë përleshjes. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes.