Connect with us

Politike

Gjinishi dënon gjuhën e Ramës: Është në panik, u kthye në njeriun më të urryer në rrjetet sociale

Analisti Ermir Gjinishi,  kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për arrogancë. Sipas tij, Rama është fokusuar te “algoritmet” dhe imazhi virtual, ndërsa nuk dëgjon qytetarët dhe problemet për të cilat ata po protestojnë.

Gjinishi deklaroi se kryeministri ka degraduar në komunikimin publik dhe se pas rrëzimit të asaj që e quajti “kala virtuale”, Rama është kthyer në një nga figurat më të urryera në rrjetet sociale. Ai shtoi se arroganca e qeverisjes gjatë 13 viteve ka sjellë situatën aktuale politike dhe institucionale në vend.

“Nuk kam për ta harruar atë shprehjen e kryeministrit, që më vjen turp ta them. Si mund t’u drejtohesh blogereve, ndërkohë që ankohesh për algoritmet? A thua se problemi i Shqipërisë është ajo që shkruajnë blogerët? Nuk i lejohet një kryeministri, zoti Rakipi, të thotë se “këta janë parellinj me shalë”. Nuk mund të flasë kështu një kryeministër. Ka degraduar.

Domethënë, Edi Rama, për shkak të imazhit virtual dhe pasi u rrëzua kjo “kala”, sot është kthyer në njeriun më të urryer në rrjetet sociale. Është më i urryer dhe ndodhet në panik. Nuk është i qartë kur flet. Nuk mund të flasë kështu një kryeministër, duke bërë mbledhje dhe duke folur për algoritma.

Me të drejtë zoti ministër thotë që qeveria ka të drejtë të marrë votat dhe të qeverisë, ndërsa populli ka të drejtë të bëjë protesta. Por nuk është vetëm kjo. Qeveria duhet ta dëgjojë popullin që del në protestë, qoftë edhe një ditë pas zgjedhjeve, sepse kjo është marrëdhënia. Dhe është pikërisht kjo arroganca e kryeministrit gjatë 13 viteve, që nuk është diçka e vetme, por e ka sjellë Shqipërinë në këtë gjendje. Përballë kësaj kemi një përfaqësi parlamentare që është asfiksuar, nuk flet.

Dëgjuat javën e parë: foli kryeministri dhe tha se ishin grupet e spiunazhit. Të gjithë ata dy-tre persona që dolën nga qeveria ose nga Partia Socialiste vazhduan me të njëjtën linjë, duke folur për grupe spiunazhi. Pastaj u fol për algoritmin, dhe të gjithë flasin për algoritmin.”- tha Gjinishi.

 

Advertisement