Sport
Botërori 2026/ Vikingu Erling Haaland shënon dopietën e dytë radhazi, Norvegjia fiton 3-2 kundër Senegalit
SHBA, New Jersey – Norvegjia është bërë skuadra e gjashtë që ka siguruar zyrtarisht kalimin në 1/16-at e Kupës së Botës 2026. Vikingët fituan 3-2 kundër Senegalit në ‘MetLife Stadium’ mëngjesin e kësaj të marte, me sfidën që vlente për ruandin e dytë në Grupin I. Veç Norvegjisë, nga ky grup kalimin më tej e ka siguruar edhe Franca.
Evropianët ishin më kërkues që në fillimin e ndeshjes, teksa u shpërblyen me gol pak para fundit të pjesës së parë. Në minutën e 43-të Marcus Pedersen kaloi Norvegjinë në epërsi.
Fraksioni i dytë nisi aty ku u mbyll i pari, teksa Martin Odegaard dhuroi një asist të bukur për Erling Haaland, me këtë të fundit që shënoi një gol mjaft të bukur.
Afrikanët ‘u zgjuan’ dhe shkurtuan rezultatin me golin e Ismaila Sarr në minutën e 53-të. Pesë minuta më vonë sërish Haaland shënoi golin e tretë për Norvegjinë. Sulmuesi i Man. Cityt gjen dopietën e dytë radhazi në këtë Kupë Bote duke e çuar në katër numrin e golave të shënuar.
Fundi i ndeshjes ishte emocionues, kjo pasi sërish Ismaila Sarr shkurtoi rezultatin në 3-2. Paçka kësaj, tre pikët shkuan për Norvegjinë.
Pas dy ndeshjeve të para, Grupi I kryesohet nga Franca me gjashtë pikë, ndjekur nga Norvegjia po me gjashtë pikë, ndërsa të dyja këto kombëtare janë kualifikuar për në raundin e 1/16-ave. Senegali dhe Iraku kanë zero pikë, teksa do të përballen së bashku në ndeshjen e fundit të grupit, duke kërkuar fitoren që do t’i mbante në lojë për kualifikimin si vendi i tretë më i mirë. Ndërkohë Norvegjia dhe Franca do të ndeshen së bashku.