Connect with us

Politike

Nurellari-Ramës: Sot në vend të çadrave me thika të Berishës, kemi agjentë rusë, iranianë, serbë

Në refuzimin për të reflektuar ndaj kërkesave të protestuesve, kryeministri Edi Rama shpesh përdor si mbrojtje 83 mandatet dhe ‘shumicën e shqiptarëve’ që e mbështesin atë dhe vizionin e tij për projektet turistike në bregdet. Në anën tjetër, ai përdor metodën klasike të komunikimit publik, duke mos folur për mesazhin, por për mesazhierin.
Kjo sipas Adri Nurellarit, ekspert i komunikimit politik, nuk është një metodë e re në politikën shqiptare.
“Sot repertori ka ndryshuar, por logjika mbetet e njëjtë. Në vend të çadrave me thika kemi ‘agjentë rusë’, ‘iranianë’, ‘serbë’, ‘grekë’, ‘marksistë’, ‘antiamerikanë’, ‘antisemitë’, ‘antibiznes’ dhe çdo etiketë tjetër që mund të shërbejë për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet e ngritura,” tha Nurellari.
Sipas tij, ky diskurs kërkon të zhvendosë energjinë e debatit nga temat e korrupsionit, kriminalizimit, kapjes së shtetit, shkatërrimit të trashëgimisë,emigrimit, apo problemet e tjera të ngritura nga protestuesit tek pyetja “Kush janë këta?” dhe jo “A kanë të drejtë?”.
“Nga ana psikologjike, qëllimi kryesor nuk është domosdoshmërisht të bindësh shumicën e qytetarëve se protestuesit janë vërtet agjentë të huaj apo ekstremistë. Mjafton të krijosh mjegull, dyshim dhe konfuzion,” shtoi më tej ai.
Një element tjetër interesant i këtij manuali komunikimi, sipas tij, është dhe anti-mitingu për të zhvendosur mesazhin ‘a ka të drejtë protesta’ tek ‘në cilin kamp je?’.
“Kështu krijohet narrativa e dy Shqipërive: Shqipëria jonë kundër Shqipërisë së tyre, progresistët kundër reaksionarëve, shumica kundër pakicës,” thotë Nurellari, duke vlerësuar se kjo është një teknikë klasike polarizimi, sepse sa më shumë debati të zhvillohet si përplasje identitetesh, aq më pak flitet për çështjet konkrete që e kanë prodhuar pakënaqësinë.

Advertisement