Connect with us

Bota

Dorëhiqet kryeministrja e Lituanisë, qeveria bie pas vetëm 10 muajsh

Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginienė ka dhënë dorëheqjen së bashku me kabinetin e saj, duke përmbyllur një mandat 10-mujor në krye të qeverisë.

Ajo pritet të rikthehet në qeverinë e re si ministre e çështjeve sociale, në një kabinet që sipas mediave vendase pritet të drejtohet nga Mindaugas Sinkevičius, i cili do të ishte kryeministri i tretë socialdemokrat pas zgjedhjeve të vitit 2024.

Në deklaratën e saj pas mbledhjes së fundit të kabinetit, Ruginienė u shpreh se “në politikë asgjë nuk është e përhershme” dhe se çdo mandat është i kufizuar në kohë, duke shtuar se qeveria e saj ka shfrytëzuar në mënyrën e duhur periudhën në detyrë.

Mandati i saj u shoqërua nga disa kriza, përfshirë incidente me kontrabandë me balona, shkelje me dronë, rritje rekord të buxhetit të mbrojtjes dhe shkarkime në disa ministri.

Po ashtu, ajo u përball me kritika për udhëtime zyrtare të shoqëruara nga familjarë dhe për menaxhimin e informacionit të rrjedhur nga Qendra e Regjistrave, çështje që u përmendën si faktorë në fundin e mandatit të saj.

Megjithatë, ajo i cilësoi dorëheqjet si pjesë të një procesi normal politik, duke theksuar se kalimi i pushtetit tek Sinkevičius ishte planifikuar më herët.

Presidenti Gitanas Nausėda pritet të paraqesë zyrtarisht kandidaturën e Sinkevičius në parlamentin Seimas, i cili më pas do të vendosë për miratimin e qeverisë së re.

Ruginienė pritet të rikthehet në postin e saj si ministre e çështjeve sociale pas formimit të kabinetit të ri.

Ndërkohë, ndryshimet në qeveri po shoqërohen edhe me rishikim të koalicionit qeverisës dhe rishpërndarje të ministrive mes partive pjesëmarrëse.

Advertisement