Connect with us

Aktualitet

Shkencat Politike në UT dhe Universiteti i Bolonjës prezantojnë Masterin TESI-TN për Inovacionin Social

Tiranë, 24 qershor 2026

Në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës u prezantua programi i masterit ndërkombëtar ekzekutiv në Inovacion Social TESI-TN që drejtohet nga Universiteti i Bolonjës dhe ku Departamenti i Shkencave Politike, në Univeritetin e Tiranës është partner krahas 5 universiteteve dhe qendrave kerkimore nga rajoni Adriatiko-Jonian.

Programi synon të formojë profesionistë dhe ekspertë të inovacionit social, të aftë për të hartuar, menaxhuar dhe vlerësuar politika dhe ndërhyrje që adresojnë sfidat sociale bashkëkohore. Në projekt marrin pjesë gjashtë universitete dhe një qendër kërkimore nga Italia, Kroacia, Greqia, Shqipëria, Serbia dhe Sllovenia, me mbështetjen e Universitetit të San Marinos.

Programi do të pranojë 25 studentë nga vendet e rajonit Adriatiko-Jonian dhe do të kombinojë njohuritë teorike me përvojën praktike përmes praktikave ndërkombëtare në universitetet partnere dhe projekteve konkrete në fushën e inovacionit social.
Fushat kryesore të studimit përfshijnë migracionin, përfshirjen e grupeve vulnerabël, ekonominë dhe sipërmarrjen sociale, rigjenerimin urban, si dhe arsimin dhe fuqizimin e të rinjve. Programi synon të përgatisë profesionistë që do të kontribuojnë në zhvillimin e politikave dhe iniciativave inovative në administratën publike, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin privat.
Përmes këtij masteri synohet forcimi i bashkëpunimit akademik rajonal, shkëmbimi i praktikave më të mira dhe krijimi i një rrjeti të qëndrueshëm ekspertësh të aftë për të adresuar sfidat sociale në rajonin Adriatiko-Jonian. Programi përfaqëson një mundësi të rëndësishme për studentët dhe profesionistët e rinj që dëshirojnë të angazhohen në fushën e inovacionit social dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Advertisement