Connect with us

Aktualitet

Sido që të jetë a nuk ka vend të jemi në turp dhe në reflektim të thellë?

Sido që të jetë a nuk ka vend të jemi në turp dhe në reflektim të thellë?
Kemi lidershipin politik kryesor më të vjetër në Evropë nga pikëpamja e qendrimit në Pushtet! Pse? Sepse kodi zgjedhor është skandaloz.
Kemi gjykata që trajtojnë çështje civile që u japin çështjeve drejtim, nëse…, jo më parë se pesë deri shtatë vjet vonesë. Pse? Sepse reforma në drejtësi u bë rakapjerthi! Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar!
Kemi popullin që përbën në përqindje popullin që ka braktisur vendin e tij më tepër se cdo popull në histori.
Kemi revoltën dhe protestën e vetme sot në Evropë ndoshta edhe në botë që drejtohet kundër të gjithë establishmentit politik.
Kemi Presidentin e vetëm në botë që kur vendi është në krizë totale hesht dhe nuk thotë asnjë fjalë!
Kemi vendin me funksionarët më të shumtë dhe të lartë të akuzuar apo dënuar nga prokuria speciale për korrupsion!
Jemi i vetmi vend ku sindikatat kanë çelësat e kashtës dhe shoqëria civile gjoja përfaqësohet nga OJF që kërkojnë të bëjnë parà dhe përbëhen jo nga aktivistë, por nga zyrtarë, burokratë!
Kemi median publike të vetme në botë që kur publiku proteston, ajo jep dokumentarë me arusha dhe lepurusha në kopësht zoologjik!
Kemi vendin ku për t’u informuar në kohë reale dhe në thellësi për atë që ndodh në sheshin dhe bulevardin kryesor të kombit mund të informohesh nga rrjetet sociale, por jo nga emisionet e lajmeve në tv.
Kemi popullin e ndarë në dy shtete ku përbëjnë shumicën dhe midis tyre marrëdhëniet mes qeverive janë të shuara, për të mos thënë armiqësore, njëra klasë politike synon të minojë klasën politike nga pushteti në shtetin tjetër.
Kemi ekonominë që ndërton më shumë apartamente banimi, ndërkohë që numri i popullsisë bie në mënyrë drastike.
Kemi deputetët më të paguar dhe të pasur në botë në krahasim me mesataren e të ardhurave të qytetarëve dhe që nuk zgjidhen sipas parimeve të Kushtetutës.
Kemi sot vendin e vetëm në botë ku pronat janë mbivendosur dhe aktualisht qytetarët e revoltuar sulmojnë fizikisht gardhet që i rrethojnë pronat e kontestuara.
Kemi policinë private që edhe sot të rreh me shkop nëse e sheh të arsyeshme.
Kemi kryeministrin që padashur iu tregon të huajve një libër plot me projekte private dhe publike, me arkitektë dhe biznesmenë, që qytetarët që e kanë zgjedhur nuk e dinë se ekzistonte! Cfarë transparence!!!
Pas të gjitha këtyre, në vend të krenohemi se po hapim dhe mbyllim kapituj, sikur të ishte një libër humoristik, a nuk ka vend të ulim kokën, të mbledhim mendjen, të gjejmë përgjegjësitë?
Advertisement