Aktualitet
PROTESTA KRIJON KUVENDIN KOMBETAR QYTETAR
Ndërsa protestat kundër projektit turistik në Zvërnec dhe qeverisë kanë hyrë në ditën e 29-të, organizatorët duket se po hedhin një tjetër hap, këtë herë drejt krijimit të një strukture të përhershme organizative.
Përmes një mesazhi të shpërndarë nga anëtarë të Grupit Koordinues, është bërë thirrje për krijimin e një “Kuvendi Kombëtar Qytetar”, i cili sipas autorëve synon të shërbejë si organ përfaqësues i protestës dhe i qytetarëve që mbështesin kërkesat e saj.
Në dokument thuhet se qytetarët nga Shqipëria dhe diaspora mund të shprehin interesin për t’u bërë pjesë e këtij organizimi të ri, ndërsa paralajmërohet edhe ngritja e një grupi të posaçëm koordinues për administrimin e aplikimeve dhe përzgjedhjen e anëtarëve.
Autorët e nismës argumentojnë se krijimi i kësaj strukture është i nevojshëm për t’i dhënë protestës një organizim më të qëndrueshëm dhe për të shmangur, sipas tyre, fragmentarizimin e lëvizjes qytetare.
Po ashtu, parashikohet edhe krijimi i një Mbledhjeje të Përgjithshme të Popullit, e cila sipas autorëve do të shërbejë si mekanizëm konsultimi me qytetarët për vendimmarrjet më të rëndësishme.
Dokumenti përcakton edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u bërë pjesë e Kuvendit. Mes tyre renditen integriteti personal, angazhimi publik kundër korrupsionit, mbështetja për kërkesat e protestës, si dhe mospasja e funksioneve të larta drejtuese në partitë tradicionale politike.
Në tekst thuhet se synimi i Kuvendit nuk është të krijojë një parti të re politike, por të ndërtojë një mekanizëm qytetar që, sipas organizatorëve, do të mbikëqyrë proceset politike dhe do të përfaqësojë interesin publik.
Megjithatë, dokumenti shkon edhe më tej, duke parashikuar se, në rast të ndryshimeve politike, kjo strukturë mund të propozojë përbërjen e një qeverie teknike tranzitore, të ndjekë procesin e reformave dhe të monitorojë zbatimin e kërkesave të protestës.
Nisma vjen vetëm pak ditë pasi Grupi Koordinues publikoi platformën me pesë kërkesa drejtuar qeverisë dhe përfaqësive diplomatike, dokument që për herë të parë identifikoi publikisht një strukturë drejtuese të protestës.
Në fund të dokumentit, Edviol Kulluri, i cili prezantohet si aktivist dhe anëtar i Grupit Nismëtar Koordinues të Protestës Kombëtare, thekson se krijimi i Kuvendit Kombëtar Qytetar nuk synon të zëvendësojë protestën, por t’i japë asaj një bazë më të organizuar dhe më të qëndrueshme për vijimin e aksionit qytetar.
Ky propozim përbën deri tani hapin më konkret të organizatorëve për ta shndërruar lëvizjen nga një mobilizim i përditshëm protestash në një strukturë me elemente përfaqësimi dhe koordinimi afatgjatë