Bota
Atentat në Monte Karlo/ Në shënjestër familja e oligarkut ukrainas, Vadim Ermolaev dhe bashkëshortja në gjendje të rëndë, plagoset dhe i biri
Sulm në zemër të Principatës së Monakos. Një shpërthim i fuqishëm tronditi qytetin në mbrëmje, pak para orës 21:00, vetëm pak metra larg kufirit me Francën. Bilanci paraprak është tre të plagosur, dy prej tyre në gjendje shumë të rëndë. Të gjithë janë pjesëtarë të së njëjtës familje dhe të gjithë shtetas ukrainas.
Sipas rindërtimeve të para, Ermolaev mbeti i plagosur rëndë së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij 13-vjeçar, çka ka ngritur dyshimet se pikërisht familja e tyre mund të ketë qenë objektivi i sulmit. Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë hetimi dhe po përpiqen të përcaktojnë nëse objektiv ishte vërtet familja ukrainase apo persona të tjerë që ndodheshin në ndërtesë në momentin e shpërthimit.
Pamjet e kamerave të sigurisë përbëjnë aktualisht një nga elementët kyç të hetimit. Një burrë është filmuar duke lënë një çantë shpine përpara ndërtesës dhe më pas duke u larguar me shpejtësi në këmbë në drejtim të Beausoleil, në anën franceze të kufirit. Pak çaste më vonë ndodhi shpërthimi.
Shpërthimi ndodhi në Rue Révérend Père Louis Frolla, një rrugë rezidenciale. Aktualisht, burri dhe gruaja ndodhen të shtruar në spital në gjendje kritike, ndërsa djali 13-vjeçar ka pësuar lëndime serioze, por nuk raportohet të jetë në rrezik për jetën.
Sipas ministrit Mirmand, mjeti shpërthyes ishte përgatitur me bulona dhe fragmente metalike për të rritur fuqinë shkatërruese. Ndërkohë, hetuesit vijojnë punën për të rindërtuar me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin.
Në vendin e shpërthimit ndërhynë ekspertët xhenierë dhe policia gjyqësore e Principatës, ndërsa xhandarmëria forcoi kontrollet në pikat kufitare me Francën, veçanërisht në zonën e La Turbie, në përpjekje për të lokalizuar të dyshuarin e filmuar nga kamerat e sigurisë.
“Sa di unë, është hera e parë që Monako përballet me një ngjarje të tillë”, deklaroi prokurori Stéphane Thibault, duke nënvizuar karakterin e jashtëzakonshëm të asaj që ndodhi.
Atentati shkaktoi reagime të menjëhershme edhe përtej kufijve të Monakos. Kryetari i Bashkisë së Nicës, Christian Estrosi, shprehu tronditjen e tij në rrjetet sociale, duke e cilësuar ngjarjen një “tragjedi” dhe duke shprehur solidaritet me viktimat, familjet e tyre dhe popullin e Principatës.
Mesazhe solidariteti mbërritën edhe nga presidenti i Këshillit Departamental të Alpes-Maritimes, Charles Ange Ginésy, i cili shprehu mbështetjen e tij për personat e përfshirë dhe për komunitetin monegask./La Repubblica