Connect with us

Politike

Veliaj “shfrytëzon” dhe minutat e fundit, shkon të vizitojë edhe njëherë të birin e porsalindur

Para se të përfundojë leja 48-orëshe e dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të vizituar nga afër bashkëshorten dhe djalin e tij të porsalindur, Erion Veliaj është rikthyer paraditen e sotme në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Kryebashkiaku ka qenë gjatë gjithë kohës nën shoqërimin e Policisë së Burgjeve, teksa mësohet se ish-deputeti dhe aktualisht anëtari i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, Halit Vlateri është parë sot në oborrin e maternitetit, ndërsa ka pasur edhe miq të tjerë të Veliajt që e kanë vizituar në këto dy ditë, një prej tyre edhe Gazmet Paja.

Kujtojmë se kryebashkiaku i arrestuar që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar, ka lënë për herë të parë qelinë për dy ditë, pas një leje 48 orëshe të miratuar nga SPAK, për të takuar të birin e porsalindur dhe bashkëshorten në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Mbi Veliajn rëndojnë 13 akuza të ngritura nga SPAK, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Ndërsa Ajola Xoxa, përballet me nëntë akuza.

Ajola dhe Erioni janë prindër edhe të një djali tjetër 7 vjeçar, Kajan, i cili ka lindur më 6 tetor 2018 dhe është fëmija i parë i tyre. Tashmë, familja është shtuar edhe me një anëtar të ri, emri i të cilit pritet të njoftohet më vonë nga çifti. Çifti ka përdorur metodën “in vitro” për këtë shtatzëni të dytë, pasi siç ka pretenduar dhe akuzuar Erion Veliaj nga qelia disa kohë më parë, presioni dhe përndjekja e SPAK ka bërë që bashkëshortja e tij të dështojë dy herë.

Advertisement