Politike
BONUSI PER PENSIONISTET/ REAGON KRYEMINISTRI
Nga dita e djeshme ka nisur shpërndarja e bonusit të verës prej 5 mijë lekësh të reja për pensionistët.
Gjatë një takimi me pensionistët, kryeministri Edi Rama tha se të ardhurat e siguruara nga rritja e çmimit të naftës për shkak të luftës në Iran (përmes taksave) do u kalojnë pensionistëve.
“Ju kujtohet që vitin e shkuar thanë po e japin bonusin për fushatë. Këtë vit s’kemi fushatë. Bonusi s’ka lidhje me asgjë tjetër, veçse me vëmendjen që ju kemi premtuar. I është shtuar buxhetit fitimet nga të ardhurat prej çmimit të naftës, nuk është mbajtur në buxhet, por është pjesë e bonusit që do marrin pensionistët që nga sot. Të gjitha të ardhurat që erdhën nga rritja e çmimit të naftës nga lufta, do t’i merrni ju. Nuk janë vetëm pensionistët, por edhe personat me aftësi të kufizuar, të cilët prej kohësh prisnin këtë që ne bëmë, dyfishimin e ndihmës per personat me aftësi të kufizuara. Janë fëmijët me aftësi të veçanta, u mor vendimi dhe fillon tani dyfishimi i ndihmës. Është vendosur që sigurimet e kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuara do i paguajë shteti”, tha mes të tjerash kryeministri Rama.
Ndërkohë ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, është shprehur se nga dje, në 1 korrik, pensionistët kanë nisur të marrin bonusin e verës prej 5 mijë lekësh të reja.
Ibrahimaj tha se bonusi është pjesë e angazhimit të Qeverisë për rritjen e mirëqenies së pensionistëve.
Duke folur për ekonominë shqiptare, Ibrahimaj tha se ekonomia gjatë viteve të fundit ka pësuar rritje, me një normë rritëse prej 4%.
“Ekonomia shqiptare ka pasur një performancë shumë pozitive. Ne jemi rritur me një normë rritëse 4%. Të ardhurat e qeverisë janë rritur me rreth 50%. Qarkullimi i bizneseve është rritur me 8 miliardë euro. Pagat janë rritur me më shumë se 50%. Ne që kur rritëm pagat, deklaruam se do të merreshim me pensionet. Kemi zgjedhur që të bëjmë indeksimin e pensioneve. Çdo vit bëjmë indeksimin e pensioneve dhe kemi pasur një bonus pensionesh. Ne vendosëm që bonusin të mos e japim vetëm në fund të vitit, por në bazë mujore. Vendosëm objektivin që pensioni mesatar i atyre që kanë vite të plota pune të shkonte në 400 euro. Çdo muaj të gjithë ata që kanë një pension mesatar dhe vite të plota pune më pak se 400 mijë lekë të vjetra, marrin çdo muaj 18 mijë lekë shtesë çdo muaj në pensionin e tyre. Ne kemi deklaruar se të gjitha të ardhurat shtesë, do të rishpërndahen te pensionistët. Kemi dëgjuar këto muaj për krizën në Lindjen e Mesme, për rritjen e çmimit të karburantit, që është transferuar edhe në Shqipëri. Por nga sot ka filluar shpërndarja e një bonusi tjetër pensionesh për vitin 2026 në vlerën 5 mijë lekë të reja. Janë 33 mijë pensionistë që sot bashkë me pensionin e tyre kanë marrë edhe bonusin e verës, bonusin e rishpërndarjes së të ardhurave, bashkë me pensionin e tyre”, tha mes të tjerash Ibrahimaj.