Connect with us

Politike

Përplasje jashtë Kuvendit/ Spiropali mesazh Ramës: Mos u merrni me protestuesit, por bëni analizën e vetes

Mes tensioneve dhe përplasjeve të forta ka nisur protesta e kësaj të enjteje e qytetarëve para ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.

Situata në terren është shoqëruar me incidente mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, ndërsa në disa momente përplasjet janë përshkallëzuar. Gjatë ndërhyrjes së efektivëve janë shoqëruar edhe disa persona, ndërsa sipas burimeve nga terreni si protestues ashtu edhe punonjës policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e përplasjeve dhe përdorimit të gazit lotsjellës. Në mesin e të lënduarve është parë edhe një qytetar me fytyrën e mbuluar në gjak.

Ndërkohë që jashtë Kuvendit vijonin përplasjet dhe tensionet mes protestuesve e policisë, deputetja e Partisë Socialiste Elisa Spiropali u paraqit në institucion ku gjatë fjalës së saj i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që duhet të nisë analiza mes socialistëve dhe jo të merret me kundërshtarët.

“Ne kemi punën tonë, duhet të reflektojmë, të dëgjojmë dhe të ofrojmë zgjidhje. Mos merremi me protestuesit, por me veten. Diskutimet vijnë nga të gjithë. E rëndësishme është që Kuvendi i Shqipërisë të përdoret për të folur për njerëzit, për shqetësimet, për të ofruar zgjidhje, për të parë më shumë nga vetja dhe secila forcë politike në atë Kuvend duhet të bëjë analizën e vetes para se të bëjë analizën e kundërshtarit”, tha Elisa Spiropali.

Advertisement