Politike
Rama: Mercenarë nga Prishtina dhe Tetova shfaqen si diasporë në protestat në Tiranë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se mercenarë nga Prishtina dhe Tetova kanë ardhur në Tiranë, për t’ju bashkuar protestave që po zhvillohen prej ditësh në kryeqytet.
Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët, Rama tha se do i lexojë mesazhet e protestës, por i ndau protestuesit në qytetarë që dalin në tubime për problematika reale dhe në ata që dalin për qëllime të caktuara.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku sot po protestohet lirisht, dikur janë vrarë njerëz.
“Unë e bëj ndarjen e atyre që protestojnë që kanë probleme reale, duke filluar nga ana që i kanë shqetësimet e sinqerta, për fatet e zogjve. Në këtë bulevard janë vrarë njerëz për të protestuar. Sot është gjë shumë e madhe që Tirana është bërë si karnavalet e Brazilit. Kjo tregon se ne kemi krijuar kushtet që në këtë vend të lulëzojë demokracia. Çohu nga kafja, thoshin skuadronet e Musolinit, përpara se të vendoset ajo që erdhi mbrapa. Kush do të rrijë në kafe, të rrijë në kafe. Kush do të protestojë, të protestojë. Po përpiqemi të lexojmë mesazhin. Protesta nuk është ajo kur vijnë mercenarë nga Prishtina dhe Tetova, që bëjnë si diasporë. Askush nga ne nuk është populli. Populli është ai që flet kur vijnë zgjedhjet”, theksoi Rama.