Connect with us

Aktualitet

Protestat masive në Tiranë/ Ambasada amerikane thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni pjesëmarrjen

Ambasada amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje shtestave amerikanë që gjenden në Tiranë të tregojnë kujdes të shtuar, pasi kryeqyteti po përballet me protesta masive. Përmes një njoftimi zyrtar, ajo këshillon që qytetarët amerikanë të shmangin pjesëmarrjen në protesta dhe të ndjekin zhvillimet e fundit përmes mediave.

Ata thonë se edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi. Ambasada amerikane këshillon që qytetarët amerikanë të kenë gjithmonë një plan emergjence ose një strategji daljeje nga zona si dhe të shmangin tërheqjen e vëmendjes.

Njoftimi i plotë i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë:

Vendndodhja: Në të gjithë vendin; Tiranë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, segmenti mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, përpara Kryeministrisë.

Data/Koha: Në vijim.

Njoftimi: Protestat e përnatshme vazhdojnë përpara godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshit “Nënë Tereza” dhe Sheshit “Skënderbej”. Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera.

Edhe pse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi. Tubimet mund të shtrihen edhe në zonat përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Në orët para zhvillimit të protestave dhe gjatë tyre pritet prani e shtuar e forcave të policisë, bllokime rrugësh, devijime të qarkullimit dhe ndërprerje të trafikut.

Nëse ndodheni në një qytet ku po zhvillohet një protestë, tregohuni vigjilentë dhe vendosni në prioritet sigurinë tuaj personale. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve të rendit për informacionet më të fundit.

Masat e rekomanduara për sigurinë:

Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin pjesëmarrjen në protesta.

Tregohuni të vetëdijshëm për mjedisin përreth jush dhe kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve në vende publike.

Ndiqni vazhdimisht mediat lokale për zhvillimet e fundit.

Keni gjithmonë një plan emergjence ose një strategji daljeje nga zona.

Mbani një profil të ulët dhe shmangni tërheqjen e vëmendjes./

Advertisement