Aktualitet
Prokuroria kërkon burg për 3 nga 21 protestuesit, vijon seanca në Gjykatën e Tiranës
Njëzet e një qytetarët e arrestuar gjatë protestës së 2 korrikut para Kuvenditn ndodhen prej afro 3 orësh në Gjykatën e Tiranës, ku po zhvillohet seanca për vlerësimin e ligjshmërisë së arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurisë.
Jashtë ambienteve të gjykatës janë mbledhur protestues dhe përfaqësues të Grupit Koordinues, të cilët, ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, kanë zhvilluar një protestë duke kërkuar lirimin e të arrestuarve.
Sipas informacioneve, Prokuroria kishte kërkuar fillimisht masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të gjithë të arrestuarit. Megjithatë, pas paraqitjes së provave shtesë gjatë ditës së sotme, organi i akuzës ka ndryshuar qëndrimin për tre prej tyre, duke kërkuar caktimin e masës “arrest me burg”.
Ndërkohë, ka përfunduar shqyrtimi i masës së sigurisë për të arrestuarin e parë, Albion Nikolli. Për të, Prokuroria kërkoi shpalljen të ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës “detyrim paraqitje”. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Stefan Topalli, kërkoi që arrestimi të shpallej i paligjshëm dhe ndaj klientit të tij të mos caktohej asnjë masë sigurimi. Në argumentet e tij para gjykatës, Topalli kërkoi që të merrej në konsideratë personaliteti i Albion Nikollit, duke theksuar se ai është mjek onkolog dhe se, sipas mbrojtjes, nuk është në natyrën e tij të kryejë vepra penale.
Revoltën për arrestimin e 21 qytetetarëve, protestuesit e shprehën me dhunë në protestën e djeshme kombëtare që u zhvillua në kryeqytet. Pas gati 2 orësh fjalime, qytetarët marshuan si zakonisht rrugëve të kryeqytetit, por situata u tensionua te komisariati numër 3 në rrugën “Mine Peza”, aty ku mbahen protestuesit e arrestuar.
Rreth orës 23:45 ishte një grup qytetarësh, disa prej të cilëve të maskuar, që me gurë e shkopinj sulmuan komisariatin duke thyer xhamat. Madje ata arritën të shqyejnë edhe derën dhe disa depërtuan brenda dhomës së pritjes.
Protestuesit e arrestuar janë në akuzë për 7 vepra penale, shkatërrim prone, kundërshtim i punonjësit të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike, organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë dhe pengim i qarkullimit të mjeteve. Më 2 korrik, para ambienteve të Kuvendit, deputëtë dhe policë u qëlluan me vezë dhe gurë disa herë.