Bota
Kush janë tre djemtë e Ali Khamenei që luten mbi trupin e tij, mungon pasardhësi Mojtaba
Tre nga djemtë e liderit të ndjerë iranian, Ajatollah Ali Khamenei, janë parë duke u lutur mbi trupin e tij gjatë ceremonisë mortore të zhvilluar në Teheran, ndërsa bie në sy mungesa e djalit të tij, Mojtaba.
Mostafa, Masoud dhe Meysam Khamenei u shfaqën duke mbajtur zi për babanë e tyre, si dhe për katër anëtarët e tjerë të familjes që humbën jetën, ndërsa arkivolet ndodheshin në Imam Khomeini Grand Mosalla në Teheran.
Mostafa, 64 vjeç, është klerik shiit dhe djali i madh i liderit të ndjerë. Ai ka pasur aktivitet të kufizuar politik dhe aktualisht nuk mban poste në qeverinë iraniane, por njihet si figurë me ndikim në rrethet fetare.
Masoud, 52 vjeç, gjithashtu klerik, është djali i tretë i Khameneit dhe drejton Zyrën për Ruajtjen dhe Botimin e Veprave të liderit, institucion përgjegjës për arkivimin dhe promovimin e fjalimeve të tij. Sipas disa burimeve, ai ka ndikim në një rrjet të gjerë mediatik.
Meysam, 48 vjeç, djali më i vogël, mban një profil më të ulët publik dhe gjithashtu ka punuar në të njëjtën zyrë të lidhur me veprat e liderit të ndjerë.
Në ceremoninë e së dielës u panë gjithashtu edhe figura familjare të afërta, përfshirë Gholam-Ali Haddad-Adel, vjehrri i Mojtaba-s, si dhe Mohammad Mohammadi Golpayegani, dhëndri i Khameneit, vajza 4-vjeçare e të cilit u varros në një arkivol të vogël.