Sport
Shuhet ëndrra e Ronaldos, Spanja triumfon në derbin ‘Iberik’
Spanja ka triumfuar në limite me një rezultat minimal 0-1 në derbin ‘Iberik’, përballë Portugalisë së Ronaldos, duke siguruar kështu një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës. Ndeshja ishte një lojë shahu deri në minutat e fundit me skuadrat që treguan në fushë se e kishin studiuar kundërshtarin.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0, pavarësisht disa rasteve të pastra. Për Portugalinë, Cristiano Ronaldo rrezikoi në minutën e 12-të, por Unai Simon priti goditjen e tij. Në minutën e 37-të, portieri spanjoll ndali fillimisht një goditje me kokë të Joao Felix dhe më pas një tjetër tentativë të Ronaldos nga afërsia. Një rast shumë i mirë pati edhe Nuno Mendes në minutën e 41-të, kur goditja e tij u devijua në shtyllë.
Edhe Spanja pati mundësi të mira për të kaluar në avantazh. Mikel Oyarzabal rrezikoi që në minutën e tretë, ndërsa Lamine Yamal dhe Alex Baena testuan disa herë portierin Diogo Costa. Rasti më i mirë për spanjollët erdhi në minutën e 31-të, kur Dani Olmo humbi një mundësi të artë me kokë nga brenda zonës.
Në pjesën e dytë, ritmi mbeti i lartë. Portugalia iu afrua golit me Cristiano Ronaldon në minutën e 59-të, por goditja e tij u ndal nga Unai Simon. Nga ana tjetër, Spanja ushtroi presion të vazhdueshëm, me Alex Baena dhe Lamine Yamal që krijuan disa raste të rrezikshme, por Diogo Costa reagoi me siguri duke mbajtur portën të paprekur.
Në minutën e 56-të, Portugalia u detyrua të bëjë një zëvendësim të detyruar, pasi Nuno Mendes u largua i dëmtuar dhe vendin e tij e mori Nelson Semedo. Më pas, trajneri Roberto Martinez hodhi në fushë edhe Rafael Leaon dhe Diogo Dalotin për t’i dhënë më shumë energji skuadrës.
Me kalimin e minutave skuadrat nisën të ndjenin lodhjen dhe u duk sikur lojtarët ranë dakord që ndeshja të shkonte në shtesë. Por Mikel Merino kishte plane të tjera. Në minutën e 90+1, pas një asisti të Ferran Torres, Merino mposhti portierin portugez dhe dërgoi Spanjën në avantazh 0-1. Edhe pse u dhanë 8 minuta shtesë Portugalia nuk arriti të shënonte një gol barazimi, duke mbyllur përfundimisht rrugëtimin e Cristiano Ronaldos në Kupën e Botës.
