Connect with us

Politike

Lala: Kur preket establishmenti politik, nisin sulmet ndaj SPAK-ut

E pyetur nga moderatori Ylli Rakipi mbi presionet politike ndaj SPAK-ut dhe ecurinë e reformës në drejtësi, gazetarja Klodiana Lala deklaroi se politika reagon vetëm në momentin kur hetimet prekin drejtpërdrejt njerëzit e saj.

Sipas Lalës, për sa kohë politika nuk ndihet e rrezikuar nga hetimet, ajo nuk ka interes të merret me veprimtarinë e SPAK-ut. Por situata ndryshon menjëherë kur preket establishmenti ose persona me lidhje të forta politike.

“Vetëm në momentin që preket politika, ajo reagon. Për sa kohë politika nuk e ka gjënë mbi kokë, nuk ka interes të merret me çështjen. Në momentin që preket establishmenti dhe preken njerëz të politikës, fillojnë tentativat për ta goditur reformën”, u shpreh Lala.

Ajo përmendi edhe ngritjen e komisioneve parlamentare dhe deklaratat e politikanëve që, megjithëse më parë janë paraqitur si mbështetës apo “baballarë” të reformës në drejtësi, tashmë përpiqen ta kundërshtojnë ose ta dobësojnë atë.

Gazetarja theksoi se fokusi kryesor i SPAK-ut duhet të jetë lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, duke i konsideruar këto si probleme që cenojnë drejtpërdrejt shoqërinë dhe ekonominë shqiptare.

“Mbështetja ime dhe fokusi duhet të jenë te korrupsioni. Dy dosjet e fundit, për të cilat kam raportuar edhe vetë, janë dosje jashtëzakonisht të rëndësishme, ndoshta ndër më të rëndësishmet për sa i përket pastrimit të parave”, deklaroi ajo.

Lala shtoi se lufta kundër korrupsionit duhet të trajtohet me përparësi më të madhe. Sipas saj, kjo kritikë vlen si për periudhën kur SPAK drejtohej nga Arben Kraja, ashtu edhe për drejtuesin aktual, Altin Dumani, pasi mund të ishte bërë më shumë në këtë drejtim.

“Korrupsioni është një problem që e prek thellësisht shoqërinë shqiptare dhe duhet të ketë një fokus shumë më të shtuar nga organet e drejtësisë”, përfundoi Klodiana Lala.

Advertisement