Kosova
Serwer: Kosova e ka forcuar pozitën ndërkombëtare duke marrë pjesë në Bordin e Paqes, koordinohuni me BE e SHBA për dialogun
Pavarësisht gatishmërisë së Prishtinës zyrtare për zbatimin e marrëveshjeve, procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka hyrë në një ngërç të plotë që nga takimi i fundit trepalësh i janarit. ish-diplomati Daniel Serwer vlerëson se fajtori kryesor për ngecjen është mungesa e vullnetit politik të Beogradit, duke kërkuar nga BE dhe SHBA që të rrisin presionin ndaj Serbisë dhe të zhbllokojnë rrugën integruese të Kosovës.
“Do të ishte e vështirë të pritej përparim pas asaj që, në thelb, ka qenë rreth dhjetë vjet pa ndonjë progres të vërtetë. Nuk jam adhurues i marrëveshjeve të arritura as në Bruksel dhe as në Ohër. Nuk mendoj se ato ishin marrëveshje të mirëfillta. Serbia në të vërtetë nuk u zotua kurrë seriozisht për zbatimin e tyre. Jo vetëm që nuk i nënshkroi, por as nuk mori ndonjë angazhim të qartë. Prandaj do të ishte e paarsyeshme të pritej përparim. A shpresoj për përparim? Sigurisht. Por Aleksandar Vuçiq e ka bërë shumë të qartë se nuk është fort i interesuar për këtë. Dhe, siç thuhet, duhen dy palë për të kërcyer tangon”, theksoi Serwer dhe shtoi se Kosova duhet të vazhdojë të jetë palë konstruktive dhe të koordinohet ngushtë me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara për ta mbajtur gjallë procesin e dialogut.
Sipas tij, Bashkimi Evropian tashmë ka filluar ta ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, duke kuptuar se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës ishte një gabim, ndërsa Beogradi ka dëshmuar se nuk ka qenë konstruktiv në proces.
Duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, Serwer vë në pah se Kosova ka forcuar pozitën ndërkombëtare përmes angazhimit në nismat për paqe, përfshirë pjesëmarrjen në Bordin e Paqes dhe dërgimin e trupave në Gazë.