Sport
Ishujt Falkland sërish mollë sherri, polemika në Angli për këngën e argjentinasve
Një këngë e kënduar nga futbollistët e Argjentinës në dhomat e zhveshjes ka shkaktuar reagime dhe polemika në mediat britanike, vetëm pak ditë përpara përballjes me Anglinë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.
E përditshmja britanike Daily Mirror shkroi se Argjentina “nuk humbi kohë për të shfaqur përçmimin ndaj Anglisë”, duke rikthyer në vëmendje çështjen e Ishujve Falkland, të cilët pretendohen nga Argjentina, por administrohen nga Mbretëria e Bashkuar.
Në tekstin e këngës, futbollistët argjentinas festojnë triumfin e tretë botëror me Lionel Messin dhe shprehin dëshirën për të fituar edhe një tjetër trofe, duke përmendur edhe “hakmarrjen” për Kupën e Botës që, sipas tyre, iu mohua Diego Maradonës.
Sipas mediave britanike, kjo sfidë është shndërruar në një përballje që shkon përtej futbollit. Daily Mirror raportoi gjithashtu se, pas fitores ndaj Egjiptit, lojtarët e Argjentinës iu bashkuan tifozëve duke kënduar edhe kore të tjera me tone anti-angleze, të cilat qarkullojnë prej dekadash në mesin e tifozërisë argjentinase.
