Connect with us

Rajon

VUÇIÇ FESTON! SHBA dhe Serbia nisin partneritetin strategjik

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se vendimi për nisjen e Dialogut Strategjik mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara është një nga zhvillimet më të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve në vitet e fundit.

Ai tha se seanca e parë e këtij dialogu do të mbahet të premten, më 17 korrik.

“Në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, kjo është hera e parë që Serbia dhe Shtetet e Bashkuara i ngrenë raportet e tyre në nivelin e partneritetit strategjik”, tha Gjuriq për Radio-Televizionin e Serbisë.

Sipas tij, vendimi i administratës së presidentit Donald Trump përbën një sinjal të fortë politik, jo vetëm për Serbinë dhe institucionet e saj, por edhe për opinionin publik dhe institucionet shtetërore në Shtetet e Bashkuara.

Ai vlerësoi se nisja e Dialogut Strategjik është rezultat i shumë viteve të punës diplomatike.

“Kjo është diçka për të cilën kemi punuar për shumë vite dhe, në aspektin profesional, përbën një nga arritjet më serioze për të gjithë diplomatët tanë që janë angazhuar”, tha Gjuriq.

Vuçiq e lavdëron Trumpin: Serbia mund të jetë përparësi strategjike për SHBA-në

Në janar të këtij viti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se një nga kërkesat e paraqitura nga SHBA-ja për fillimin e Dialogut Strategjik me Serbinë, lidhet me sektorin e energjisë.

Serbia, ndërkohë, pranoi bashkëpunimin me SHBA-në për gazin e lëngshëm natyror dhe diversifikimin e furnizimit me gaz.SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit

Gjuriq e falënderoi Vuçiqin, për, siç tha, mbështetjen ndaj këtij procesi.

“Presidenti Vuçiq i ka mbështetur prej vitesh përpjekjet tona për t’i përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe jam shumë i lumtur që sot mund ta bëj publik këtë lajm”, tha Gjuriq.

Ministri serb njoftoi se, me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë në Uashington, ku të enjten do të marrë pjesë në një samit, ndërsa të premten do të mbahet sesioni i parë i Dialogut Strategjik.

“Ajo që do të ndodhë të premten përbën vërtet një moment historik diplomatik dhe politik në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së”, theksoi Gjuriq.

Sipas tij, ky proces do të ketë ndikim pozitiv edhe në bashkëpunimin ekonomik, në pozitën ndërkombëtare të Serbisë dhe në jetën e qytetarëve.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Maqedonia e Veriut ka nisur procesin e Dialogut Strategjik me SHBA-në në vitin 2022.

Në shtator të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një afat të pacaktuar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke shprehur shqetësim për veprimet e Qeverisë në detyrë.

Pa specifikuar se cilave veprime u referohej, Ambasada amerikane në Prishtinë tha atëkohë se ato kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”, duke kufizuar aftësinë e SHBA-së për të bashkëpunuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Në atë kohë, në opinion qarkulluan pretendime se vendimi lidhej me ndërhyrjen e supozuar të Qeverisë në punën e Gjykatës Kushtetuese.Hovenier: Deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik

Aktualisht, Kosova përballet me thirrje nga Shtetet e Bashkuara për t’iu bashkuar projekteve amerikane për gazin e lëngshëm natyror (LNG) në Ballkanin Perëndimor.

Prishtina nuk e ka kundërshtuar gazin amerikan, por ka propozuar një qasje tjetër, duke kërkuar mbështetje për gazifikimin e qymyrit.

Nuk dihet nëse çështja e energjisë është kusht për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën.

Advertisement